Tre persona kanë përfunduar në prangat e Policisë së Elbasanit, pasi u kapën duke transportuar 24 emigrantë të paligjshëm që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri, me destinacion vendet e Bashkimit Europian.
Operacionet policore të koduara “Aksi” dhe “Aksi 01”, të zhvilluara në aksin rrugor Librazhd–Elbasan, çuan në arrestimin e Florjan Mustafës, Aleksandër Rirës dhe Denis Çollakut, të cilët dyshohet se transportonin emigrantët kundrejt pagesës.
Sipas Policisë, në rastin e parë u kap Florjan Mustafa, i cili transportonte 14 emigrantë të paligjshëm. Në një operacion të dytë u arrestuan Aleksandër Rira dhe Denis Çollaku, të cilët transportonin 10 emigrantë.
Nga verifikimet rezultoi se Aleksandër Rira drejtonte automjetin pa leje drejtimi.
Në total, gjatë dy operacioneve u konstatuan 24 emigrantë të paligjshëm, ndërsa Policia sekuestroi edhe dy automjetet që dyshohet se përdoreshin për këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.






















