
Ulian Shpataraku, një prej njerëzve më të afërt të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka paditur Policinë e Shtetit në Gjykatën Administrative, duke kërkuar rikthimin në radhët e saj dhe shpalljen si absolutisht të pavlefshëm të vendimit që çoi në përjashtimin e tij.
Në padi, Shpataraku pretendon se procedura disiplinore është zhvilluar në kundërshtim me ligjin. Sipas tij, urdhri për nisjen e hetimit disiplinor është firmosur nga Sokol Bizhga, i komanduar në atë kohë si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pas largimit të Ilir Prodës, ndërsa po i njëjti funksionar ka kryesuar edhe komisionin që vendosi përjashtimin e tij. Për paditësin, ky fakt e bën vendimin absolutisht të pavlefshëm.
Shpataraku kundërshton edhe arsyetimin mbi të cilin u mbështet masa disiplinore. Ai pretendon se akuza për mungesë në punë nuk qëndron, pasi, sipas listëprezencës së depozituar në gjykatë, rezulton se ai është paguar rregullisht nga eprori i drejtpërdrejtë i kohës.
Në mbështetje të pretendimeve të tij, ai ka paraqitur edhe deklarimin e Drejtorit të Departamentit të IT-së, i cili, sipas padisë, ka dëshmuar se “Shpataraku është paraqitur në detyrë”, në kundërshtim me sa pretendohet në vendimin e komisionit disiplinor.
Po ashtu, ai ka dorëzuar një vërtetim të Akademisë së Sigurisë, sipas të cilit programi master që ndiqte zhvillohej pas orës 16:00, pra pas përfundimit të orarit zyrtar të punës, duke kundërshtuar edhe këtë argument të përdorur për shkarkimin e tij.
Shpataraku u largua nga Policia e Shtetit menjëherë pas largimit të Ilir Prodës nga drejtimi i institucionit. Çështja ngre pikëpyetje jo vetëm mbi mënyrën se si është administruar procedura disiplinore, por edhe mbi standardet e vendimmarrjes në Policinë e Shtetit, pasi vetë padia pretendon se i njëjti funksionar ka qenë njëkohësisht iniciues i procedurës dhe drejtues i organit që vendosi për fatin profesional të efektivit.






















