
Flakët avancojnë drejt banesave në Finiq e Delvinë, në operacion 3 helikopterë dhe ushtria
Përkeqësimi i situatës nga zjarret në Bashkinë Finiq ka vënë në gatishmëri strukturat e Emergjencave Civile, Forcat e Armatosura dhe sektorin e forcave ajrore, ndërsa flakët po avancojnë drejt zonave të banuara në Kostar, Mesopotam dhe Delvinë.
Gjatë pasdites së sotme, operacionit iu bashkuan edhe dy helikopterë të tjerë, duke e çuar në tre numrin e mjeteve ajrore të angazhuara për shuarjen e zjarrit. Ndërhyrja u intensifikua pasi flakët iu afruan banesave në fshatin Kostar, duke rritur ndjeshëm rrezikun për banorët.
Forcat e Armatosura bënë me dije se po punohet me kapacitet të plotë, ndërsa helikopterët vijojnë hedhjen e ujit mbi vatrat aktive për të frenuar përhapjen e flakëve.
Zjarri, që shpërtheu mëngjesin e sotëm në malin e Matomarës, në territorin e Bashkisë Finiq, është përhapur me shpejtësi, i favorizuar nga erërat e forta. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe tashmë kërcënojnë banesat në Finiq, Mesopotam dhe Kostar, ndërsa rrezikojnë të depërtojnë edhe në territorin e Bashkisë Delvinë, pranë fshatit Vllahat.
Situata u rëndua kryesisht gjatë orëve të pasdites, kur zjarri doli jashtë kontrollit. Krahas mjeteve ajrore, në terren janë angazhuar edhe forca të shumta nga toka, përfshirë efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët po punojnë për izolimin e vatrave dhe mbrojtjen e banesave të rrezikuara.






















