Policia e Himarës reagon për të dytën herë lidhur me ngjarjen që ndodhi mbrëmjen e kaluar në Palasë ku nga një jaht u qëllua me armë zjarri.
Policia konfirmon se pas dy orësh kërkime gjeti mjetin lundrues që pas ngjarjes fiku dritat dhe tentoi të largohej, porse gjatë kontrollit nuk u gjet asnjë send i paligjshëm.
Katër personat që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues B. Cela, 31 vjeç, L. Haso, 31 vjeç, A. Kastrati, 49 vjeç dhe P. Gj., 60 vjeç, u ndaluan dhe morën në pyetje.
Por pavarësisht këtij reagimi, fakti që mjeti lundrues për dy orë tentoi t’i fshihej policisë, personat që ndodheshin në bord kanë patur mundësinë që të zhduknin provat.
REAGIMI I POLICISË
Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, ku rreth orës 21:00 është marrë njoftim se, në det, përballë Palasës, dyshohej se ishte qëlluar me armë zjarri në ajër nga një mjet lundrues, ju informojmë se:
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë/Stacionit të Policisë Dhërmi, si dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS), u vunë në ndjekje të mjetit lundrues nga deti dhe toka, pasi jahti po lëvizte në drejtim të Himarës.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u bë e mundur ndalimi i jahtit në det, përballë Himarës, si dhe shoqërimi i tij së bashku me personat që ndodheshin në bord, konkretisht shtetasit B. C., 31 vjeç, L. H., 31 vjeç, A. K., 49 vjeç dhe P. Gj., 60 vjeç.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Himarë, nën drejtimin e Prokurorisë, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në ambientet e jahtit dhe ndaj personave që ndodheshin në bord, ku nuk u konstatua asnjë send apo mjet i kundërligjshëm.
Nga grupi hetimor vijuan veprimet e mëtejshme procedurale, duke marrë deklarime në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, si dhe duke kryer ekspertimet për përcaktimin e faktorëve plotësues të qitjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, verifikimin e informacionit të marrë dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.






















