Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se SHBA dhe Irani do të nisin një raund të ri negociatash të hënën, pasi ai vendosi të anulojë sulmet ushtarake të planifikuara ndaj Teheranit për t’i dhënë përparësi diplomacisë.
Nga bordi i avionit presidencial “Air Force One”, Trump tha se bisedimet do të fillojnë pasditen e së hënës dhe se disa vende të Lindjes së Mesme, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, i kanë kërkuar të shmangë një përshkallëzim ushtarak.
Megjithatë, Teherani nuk e ka konfirmuar nisjen e negociatave dhe ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit amerikan, ndërsa ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se bisedimet me Omanin për Ngushticën e Hormuzit po përparojnë.
Lajmi ndikoi menjëherë në tregjet ndërkombëtare, ku çmimet e naftës shënuan rënie për shkak të pritshmërive për ulje të tensioneve. Trump theksoi se SHBA mbetet e gatshme të ndërmarrë veprime ushtarake nëse negociatat dështojnë, por shtoi se synimi i tij është arritja e një marrëveshjeje përmes dialogut.






















