Qeveria italiane synon të shfrytëzojë krizën migratore në Ceuta për t’i kërkuar Bashkimit Europian përshpejtimin e krijimit të qendrave të riatdhesimit në vende të treta, sipas modelit të marrëveshjes Itali–Shqipëri. Por, ndryshe nga qendrat e ngritura në Shëngjin dhe Gjadër, Roma kërkon që kostot të mos mbulohen më nga taksapaguesit italianë, por nga buxheti i Bashkimit Europian.
Sipas së përditshmes italiane La Repubblica, kjo do të jetë një nga kërkesat kryesore që Italia do të paraqesë të martën në mbledhjen e ministrave të Brendshëm të BE-së, të thirrur pas fluksit të emigrantëve në enklavën spanjolle të Ceutës.
Kryeministrja Giorgia Meloni beson se ka mbështetjen e homologes daneze, Mette Frederiksen, ndërsa shpreson që në të njëjtën linjë të rreshtohet edhe kancelari gjerman Friedrich Merz. Sipas raportimit, qeveria italiane është e pakënaqur me ritmin e deritanishëm të Komisionit Europian në zbatimin e Paktit të ri për Migracionin dhe Azilin, që hyri në fuqi më 12 qershor, dhe synon që kriza e Ceutës të shërbejë si katalizator për përshpejtimin e këtij procesi.
Në këtë kuadër, Brukseli pritet të rifillojë diskutimet paraprake me 12 vende të treta për ngritjen e qendrave të riatdhesimit. Në listë përfshihen Ruanda, Gana, Senegali, Tunizia, Libia, Mauritania, Egjipti, Uganda, Uzbekistani, Armenia, Mali i Zi dhe Etiopia.
Sipas gazetës italiane, propozimi do të diskutohet fillimisht në mbledhjen e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së dhe më pas në takimin e ministrave të Brendshëm.
Qeveria italiane vlerëson se tashmë ekziston një shumicë politike në favor të kësaj qasjeje. Si argument përdoret letra e firmosur nga 22 krerë shtetesh dhe qeverish të Bashkimit Europian, e promovuar nga Giorgia Meloni, ku kërkohet një përgjigje e koordinuar europiane ndaj krizës migratore.
Megjithatë, jo të gjitha vendet ndajnë të njëjtin qëndrim. Franca nuk e ka nënshkruar letrën, ndërsa gjatë krizës së Ceutës edhe Gjermania kishte mbajtur fillimisht një qasje më të rezervuar, megjithëse kancelari Merz më pas iu bashkua dokumentit.
Ndërkohë, në Itali vazhdon debati edhe për kontrollet e përkohshme në kufijtë e zonës Shengen. Sipas raportimit, në qarqet qeveritare po shqyrtohet mundësia që këto masa të zgjasin më pak se një muaj, pasi situata në Ceutë është stabilizuar.
Nga ana tjetër, opozita italiane akuzon qeverinë Meloni se po e përdor krizën migratore për qëllime politike. Partia Demokratike e cilësoi bllokimin e Shengenit një “farsë”, ndërsa ish-kryeministri Giuseppe Conte akuzoi Melonin se po dëmton marrëdhëniet me Spanjën duke e përdorur krizën për propagandë politike.






















