Dhjetëra qytetarë u mblodhën këtë të diel në Shkodër për të protestuar kundër planit për hapjen e një Konsullate të Serbisë në qytetin verior, duke kërkuar rishqyrtimin dhe anulimin e këtij vendimi.
Me pankarta ku shkruheshin mesazhe si “Kosova është Shqipëri” dhe “Besa e shqiptarëve është e shenjtë”, pjesëmarrësit shprehën kundërshtimin e tyre gjatë një marshimi në rrugët e qytetit. Protesta u zhvillua e qetë dhe pa incidente.
Organizatorët deklaruan se kundërshtimi i tyre lidhet me qëndrimet që, sipas tyre, Serbia ka mbajtur ndër vite ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Ata kërkuan që autoritetet shqiptare të tërhiqen nga iniciativa për hapjen e konsullatës, ndërsa akuzuan kryeministrin Edi Rama se me këtë veprim po favorizon presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
Nga ana tjetër, autoritetet shqiptare kanë bërë të ditur më herët se çështja mbetet ende në fazën e diskutimeve dhe se nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka sqaruar se kjo çështje lidhet me parimin e reciprocitetit, duke kujtuar se Shqipëria ka kërkuar më parë hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Luginën e Preshevës. Sipas tij, diskutimet mes palëve vijojnë dhe ende nuk ka një dakordësi finale për hapjen e Konsullatës së Serbisë në Shkodër.






















