Politika 1 August 2026, 12:16 Nga VNA

Kundërshtimet ndaj reformës territoriale shtohen, Rrogozhina dhe Belshi dalin hapur kundër projektit

Ndaje në Whatsapp
Kundërshtimet ndaj reformës territoriale shtohen, Rrogozhina dhe

Reagimet kundër projektit të ri të Reformës Administrativo-Territoriale po shtohen në disa bashki të vendit. Pas kundërshtimeve të shprehura në zona të ndryshme, edhe Rrogozhina dhe Belshi kanë dalë hapur kundër planit që parashikon ndryshime në hartën e pushtetit vendor.

Këshilli Bashkiak i Rrogozhinës miratoi një projektvendim me të cilin kundërshton shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Kavajës. Projektvendimi u votua me mbështetjen e anëtarëve të Këshillit Bashkiak, të cilët, pavarësisht bindjeve politike, shprehën qëndrim të unifikuar kundër ndryshimeve të propozuara.

Para votimit, kryetarja e Këshillit Bashkiak të Rrogozhinës, Desi Gixhari, deklaroi se interesi i qytetarëve duhet të jetë mbi çdo ndarje politike.

“Nuk mund të pranohet një vendimmarrje që prek jetën e mijëra qytetarëve pa një proces transparent. Sot, pavarësisht bindjeve politike që kemi, na bashkon mbrojtja e interesit të qytetarëve të Bashkisë Rrogozhinë. Kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve, është inkurajuese që kemi gjetur gjuhën e përbashkët. Kur bëhet fjalë për të ardhmen e Rrogozhinës, interesi ynë qëndron mbi çdo bindje politike”, u shpreh Gixhari.

Ndërkohë, edhe në Belsh dhjetëra qytetarë dolën në protestë kundër projektit që parashikon bashkimin e Bashkisë Belsh me Bashkinë Elbasan. Të mbledhur në qendër të qytetit, protestuesit kërkuan që Belshi të ruajë statusin si bashki më vete, duke argumentuar se ndryshimet e propozuara cenojnë identitetin dhe përfaqësimin e komunitetit.

Me pankarta në duar, qytetarët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj reformës. Një prej mesazheve që tërhoqi vëmendjen ishte: “Rilindja e donte Belshin kryeqytet, ju po e asimiloni”, duke reflektuar shqetësimin për humbjen e rolit administrativ të qytetit.

Protestuesit u bënë thirrje drejtuesve vendorë të mbrojnë interesat e komunitetit dhe të kundërshtojnë projektin, ndërsa theksuan se bashkimi me Elbasanin mund të ndikojë negativisht në përfaqësimin e qytetarëve, ofrimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Sipas tyre, çdo ndryshim në ndarjen territoriale duhet të paraprihet nga konsultime të gjera me banorët.

Protestat në Rrogozhinë dhe Belsh i shtohen reagimeve të shfaqura edhe në bashki të tjera të vendit kundër reformës së re administrativo-territoriale. Debati për riorganizimin e pushtetit vendor pritet të vijojë në ditët në vijim, ndërsa institucionet qendrore shqyrtojnë propozimet për hartën e re territoriale.

Video

Ermal Beqiri drejt ekstradimit, media franceze zbulon kërkesën zyrtare të Shqipërisë

Plas arma në jaht, shkarkohet një karikator i tërë. Tmerr mes pushuesve në Palasë Momente paniku janë regjistruar në brigjet e Palasës, ku nga një jaht u dëgjuan të shtëna arme që, sipas dëshmitarëve, i ngjanin shkarkimit të një karikatori të tërë. Në bord ndodhej një grup personash që kishin ankoruar jahtin pranë bregut dhe po festonin, kur për arsye ende të paqarta u dëgjuan të shtënat, duke shkaktuar frikë dhe panik te pushuesit që ndodheshin në zonë. Deri më tani asnjë reagim nga policia.

Dita e 64, vijon marshimi protestuesve në rrugët e Tiranës

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme