
Qeveria ka hedhur një hap drejt ndryshimit të mënyrës së trajtimit të personave me probleme të shëndetit mendor, të cilët janë nën masën e mjekimitr të detyruar me vendim gjykate. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shpallur tenderin për ndërtimin e godinës së re të spitalit të posaçëm brenda IEVP Shënkoll në Lezhë, një investim me fond limit 1,070,358,762 lekë, ose rreth 10.7 milionë euro, i financuar nga Buxheti i Shtetit.
Procedura e prokurimit është shpallur më 31 korrik 2026, ndërsa operatorët ekonomikë kanë afat deri më 31 gusht për dorëzimin e ofertave.
Sipas relacionit teknik të projektit, objekti është konceptuar si një strukturë spitalore e specializuar për trajtimin e personave ndaj të cilëve gjykatat kanë vendosur masën e mjekimit të detyruar. Ndryshe nga modeli tradicional i mbajtjes së tyre në ambiente penitenciare, godina e re synon të ofrojë kushte të përshtatshme për trajtim mjekësor, duke garantuar njëkohësisht standarde të larta sigurie.
Spitali do të ndërtohet brenda territorit të IEVP Shënkoll, në një sipërfaqe prej rreth 6 mijë deri në 6.250 metra katrorë, me zhvillim deri në katër kate. Projekti përfshin ambiente për trajtim, pavijone, shërbime mbështetëse dhe infrastrukturë teknike, të projektuara sipas standardeve moderne për institucione shëndetësore me nivel të lartë sigurie.
Relacioni teknik parashikon që godina të realizohet me strukturë monolite prej betoni të armuar, të projektuar sipas standardeve europiane Eurocode, me rezistencë të lartë ndaj tërmeteve. Për shkak të karakteristikave të terrenit është zgjedhur themelim me pllakë të përgjithshme betoni, ndërsa për godinën kryesore trashësia e pllakës së themelit do të jetë 80 centimetra.
Materialet e ndërtimit do të jenë të klasës së lartë, me beton C30/37 dhe armaturë çeliku B-500S, ndërsa projekti parashikon masa të posaçme kundër lagështirës, korrozionit dhe deformimeve sizmike, për shkak të kushteve gjeologjike të zonës së Shënkollit.
Ndërtimi i këtij spitali vjen pas kritikave të vazhdueshme të Avokatit të Popullit, i cili në raportet e tij ndër vite ka evidentuar kushtet e papërshtatshme në të cilat mbahen personat me probleme të shëndetit mendor që janë nën masa mjekësore të detyruara. Institucioni ka ngritur shqetësime për mbipopullimin, mungesën e kushteve dinjitoze dhe trajtimin e tyre në ambiente që nuk plotësojnë standardet e një institucioni shëndetësor, duke rekomanduar krijimin e një strukture të specializuar për këtë kategori.
Shpallja e këtij investimi shihet edhe si një përgjigje ndaj këtyre rekomandimeve, pasi projekti synon të zëvendësojë modelin e deritanishëm të trajtimit në ambientet e burgut me një spital të dedikuar, ku trajtimi mjekësor dhe rehabilitimi të jenë në qendër të shërbimit.
Sipas dokumentacionit teknik, objekti është klasifikuar si një strukturë me rëndësi të veçantë publike dhe është projektuar për të garantuar funksionim të pandërprerë, siguri maksimale dhe jetëgjatësi, duke respektuar standardet europiane të projektimit për ndërtesat spitalore dhe ato me rëndësi kritike.






















