Në politikën shqiptare ka një ligj të pashkruar: pushtetet ndryshojnë, por destinacioni mbetet i njëjtë.
Jola Hysa, deri pak muaj më parë sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, është emëruar drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, duke zëvendësuar Zana Çelën. Emërimi u konfirmua sot, ndërsa vetë Hysa reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në mesazhin e saj, ajo pranon se është takuar me kryeministrin Edi Rama dhe zbulon fjalinë që, sipas saj, i tha ai: “Nuk dua të bëhesh socialiste, dua të çosh më lart institucionin që ngriti Zana Çela.”
Më tej, Hysa sqaron se mbetet demokrate, por jo më pjesë e Partisë Demokratike. “Jam me partinë e Shqipërisë turistike”, shkruan ajo.
Kështu, pas viteve në opozitë, rruga drejt një institucioni shtetëror rezultoi se kalonte… nga turizmi.
Në fund të fundit, në Shqipëri turizmi nuk promovon vetëm plazhet, kalatë dhe alpet. Ndonjëherë promovon edhe karrierat politike. Dikur mjaftonte të kishe CV në parti; sot duket se mjafton të ndryshosh destinacionin.
Nëse dikur thuhej se të gjitha rrugët të çojnë në Romë, politika shqiptare po krijon proverbin e saj të ri: nga Berisha te Rama, rruga kalon nga Agjencia Kombëtare e Turizmit.






















