Kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Hil Curri, ka deklaruar se qytetarët do t’i drejtohen referendumit për të kundërshtuar projektin e reformës administrativo-territoriale që parashikon shkrirjen e bashkisë.
Curri u shpreh se nisma është ndërmarrë pa asnjë konsultim me komunitetin, duke e cilësuar procesin të papranueshëm. Sipas tij, zbatimi i reformës do të përshpejtonte shpopullimin e zonës dhe do të dëmtonte zhvillimin e Fushë-Arrëzit.
Kryebashkiaku theksoi se Bashkia e Fushë-Arrëzit nuk përbën barrë financiare për shtetin, pasi në territorin e saj operojnë disa biznese të industrisë së rëndë, taksat e të cilave kontribuojnë në buxhetin vendor.
Hil Curri paralajmëroi se kundërshtimi ndaj reformës do të ndiqet në të gjitha rrugët ligjore, përfshirë edhe instancat ndërkombëtare. Ai shtoi se qytetarët e Fushë-Arrëzit, së bashku me diasporën, do të mobilizohen në protesta për të mbrojtur statusin e bashkisë.






















