Kryebashkiaku i Patosit, Fation Duro, ka dalë kundër propozimit për bashkimin e Bashkisë Patos me Bashkinë Fier, duke argumentuar se të dhënat e Komisionit për Reformën Territoriale nuk e mbështesin një vendim të tillë.
Në një reagim publik, Duro thekson se Indeksi i Funksionalitetit të Bashkive (IFB), i hartuar nga vetë Komisioni, e rendit Patosin në vendin e 10-të nga 61 bashki, me 71.7 pikë, rezultat që klasifikohet si nivel i lartë funksionaliteti.
Sipas tij, raporti vlerëson tregues si autonomia fiskale, eficienca e administratës, mbulimi i funksioneve, ngurtësia e buxhetit dhe detyrimet e prapambetura, ndërsa Patosi rezulton me performancë më të mirë jo vetëm se Bashkia Fier, e cila ka 55.4 pikë, por edhe se të gjitha bashkitë e tjera të qarkut.
“Patosi nuk është bashki me performancë të dobët. Përkundrazi, raporti zyrtar e rendit ndër bashkitë më funksionale të vendit”, shprehet Duro, duke vënë në pikëpyetje arsyetimin e reformës territoriale se bashkitë e vogla nuk kanë kapacitete administrative dhe financiare.
Në përfundim, kryebashkiaku ngre pyetjen se mbi çfarë baze kërkohet shkrirja e Bashkisë Patos, kur vetë raporti i Komisionit e rendit atë shumë më lart se Bashkia Fier, me të cilën propozohet të bashkohet.






















