Ceuta dhe Melilla, dy qytete autonome spanjolle të vendosura në bregdetin verior të Marokut, janë rikthyer në qendër të vëmendjes pas valës së fundit të emigrantëve që kanë tentuar të hyjnë në Bashkimin Evropian. Si të vetmet kufij tokësorë të BE-së me Afrikën, ato përbëjnë një nga pikat më të rëndësishme të migracionit drejt Evropës.
Ditët e fundit, veçanërisht Ceuta është përballur me një fluks të madh emigrantësh, të cilët kanë kaluar kufirin duke notuar, duke u ngjitur mbi gardhet mbrojtëse ose duke hyrë me forcë në pikat kufitare. Sipas autoriteteve lokale, qendrat e pritjes janë tejmbushur, ndërsa është raportuar edhe për 18 viktima nga mbytja. Presidenti i Ceutës, Juan Jesús Vivas, ka kërkuar shpalljen e emergjencës kombëtare dhe vendosjen e ushtrisë, ndërsa qeveria spanjolle ka dërguar përforcime në zonë.
Kriza ka shkaktuar reagime edhe në Evropë. Italia ka kërkuar masa të jashtëzakonshme, ndërsa ministri i Jashtëm Antonio Tajani është shprehur në favor të pezullimit të zonës Shengen për Spanjën. Finlanda ka mbështetur këtë qëndrim, duke akuzuar Madridin për dështim në mbrojtjen e kufirit të jashtëm të BE-së. Nga ana tjetër, Spanja ka reaguar ashpër, duke i cilësuar deklaratat si të papranueshme.
Ceuta ka një sipërfaqe prej rreth 18.5 km² dhe mbi 83 mijë banorë, ndërsa Melilla shtrihet në 12.3 km² dhe ka rreth 87 mijë banorë. Të dyja qytetet janë të rrethuara nga gardhe të larta sigurie me tela, kamera dhe sisteme mbikëqyrjeje. Hyrja në këto enklava nënkupton hyrje në territorin e Shengenit, çka i bën ato një destinacion të rëndësishëm për emigrantët që synojnë të vazhdojnë drejt Spanjës kontinentale dhe vendeve të tjera evropiane.
Melilla u pushtua nga Spanja në vitin 1497, ndërsa Ceuta kaloi nën sovranitetin spanjoll në vitin 1668. Edhe pas pavarësisë së Marokut në vitin 1956, të dy qytetet mbetën nën administrimin e Spanjës. Maroku nuk e njeh këtë sovranitet dhe i konsideron ato territore koloniale, duke mbajtur të hapur një mosmarrëveshje që prej dekadash shkakton tensione diplomatike mes Rabatit dhe Madridit.
Pavarësisht statusit të tyre si pjesë e Spanjës dhe Bashkimit Evropian, Ceuta dhe Melilla janë ekonomikisht të lidhura ngushtë me Marokun, me mijëra qytetarë marokenë që kalojnë kufirin çdo ditë për punë dhe tregti. Megjithatë, krizat e përsëritura migratore vazhdojnë t’i vendosin këto dy enklava në qendër të debatit për sigurinë kufitare dhe politikën e migracionit në Evropë.






















