Një tërmet me magnitudë 4.7 ballë ka tronditur mbrëmjen e kaluar zonën e gjerë të Napolit, duke lënë pas 21 persona të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Lëkundjet u regjistruan në orën 19:46 sipas kohës lokale italiane, ndërsa shumica e të lënduarve janë raportuar në zonën e Pozzuolit, e cila ka pësuar edhe dëmet më të mëdha materiale.
Sipas autoriteteve italiane, gjatë 12 orëve pas tërmetit kryesor janë regjistruar më shumë se 30 pasgoditje. Lëkundja më e fortë pasuese u ndje në orën 05:47 të mëngjesit dhe kishte magnitudë 3.1 ballë sipas shkallës Rihter.
Frika nga lëkundje të tjera ka bërë që shumë banorë të zonës së Napolit ta kalojnë natën jashtë banesave, në makina dhe në sheshe publike, duke shmangur kthimin në shtëpi.
Ndërkohë, ekipet e emergjencës kanë vijuar kontrollet në ndërtesat e dëmtuara. Zjarrfikësit kanë evakuuar një pallat banimi në Pozzuoli, pasi u konstatuan çarje të shkaktuara nga tërmeti. Rreth 70 banorë të kësaj ndërtese janë zhvendosur përkohësisht në një palestër bashkiake.






















