
Presidenti amerikan Donald Trump ka përdorur pamjet e mijëra emigrantëve që hyjnë në enklavën spanjolle të Ceutës për të paralajmëruar se një situatë e ngjashme mund të ndodhë edhe në Shtetet e Bashkuara nëse demokratët rikthehen në pushtet.
Në një intervistë për Fox News, Trump u ndal te imazhet nga Spanja, duke i cilësuar ato si një paralajmërim për të ardhmen e SHBA-së.
"Mbajeni mend këtë imazh. Kështu do të jemi pas tre vitesh nëse fiton partia e gabuar", tha presidenti amerikan.
Ai shtoi se një fitore e demokratëve në zgjedhjet e ardhshme do të kishte pasoja të rënda për vendin.
"Nëse demokratët fitojnë zgjedhjet, nuk do të jetoni një jetë shumë të lumtur", u shpreh Trump.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe nënpresidenti J. D. Vance, i cili tha se pamjet nga Spanja tregojnë pasojat e emigracionit masiv.
"Këto imazhe që vijnë nga Spanja janë një kujtesë për pasojat e emigracionit masiv dhe politikat globaliste të së majtës radikale që lejuan pushtimin e Perëndimit", shkroi ai në rrjetet sociale.
Vance shtoi se zgjedhja e Donald Trump ka bërë që kufijtë e Shteteve të Bashkuara të mos përballen më me situata të tilla.
Që prej së enjtes, zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë kanë intensifikuar mesazhet se një rikthim i demokratëve në pushtet do të sillte një valë të re emigrantësh në kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës.
Deklaratat vijnë në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit, që do të mbahen në nëntor, një proces elektoral që tradicionalisht konsiderohet sfidues për partinë që mban pushtetin.






















