Bashkimi Evropian ka shpallur një plan investimi prej 10 miliardë eurosh për ndërtimin e shtatë qendrave gjigante të inteligjencës artificiale (IA), me synimin për të forcuar konkurrueshmërinë e Evropës përballë Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në këtë sektor strategjik.
Sipas Komisionit Evropian, fondet publike synojnë të tërheqin edhe 20 miliardë euro investime private, duke e çuar vlerën totale të projektit në rreth 30 miliardë euro.
Nënkryetarja ekzekutive e Komisionit Evropian për teknologjinë, Henna Virkkunen, deklaroi se Evropa ka nevojë urgjente për kapacitete shumë më të mëdha kompjuterike, pasi zhvillimi i inteligjencës artificiale po përshpejtohet me ritme të larta.
Sipas saj, projekti është pjesë e strategjisë së BE-së për të rritur “pavarësinë teknologjike”, duke ulur varësinë nga kompanitë dhe teknologjitë e vendeve të tjera, e cila mund të shndërrohet në një mjet presioni politik ose ekonomik.
Kompanitë e interesuara tashmë mund të aplikojnë për ndërtimin e qendrave të reja, të cilat do të pajisen me të paktën 100 mijë procesorë të avancuar për inteligjencën artificiale secila. Këto objekte pritet të jenë rreth katër herë më të fuqishme se qendrat ekzistuese në Bashkimin Evropian.
Aktualisht, BE-ja disponon 19 qendra të mëdha kompjuterike për inteligjencën artificiale, të shpërndara në vende të ndryshme, nga Finlanda deri në Spanjë. Me ndërtimin e shtatë qendrave të reja, kapaciteti llogaritës i bllokut pritet të dyfishohet.
Megjithatë, një vlerësim i vitit 2025 i Rezervës Federale të SHBA-së tregon se Evropa vijon të mbetet pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në zhvillimin e inteligjencës artificiale. Ndër sfidat kryesore renditen mungesa e prodhimit të komponentëve elektronikë, kostot më të larta të energjisë elektrike dhe niveli më i ulët i investimeve private.
Komisioni Evropian paralajmëron se, pa investime të mëtejshme, bizneset dhe institucionet evropiane do të vazhdojnë të mbështeten te platformat amerikane të inteligjencës artificiale, gjë që mund të ndikojë në sigurinë e të dhënave dhe zhvillimin e alternativave evropiane.
Aktualisht, kompania franceze Mistral AI konsiderohet një nga aktorët kryesorë evropianë në këtë fushë, por ende mbetet pas gjigantëve amerikanë si OpenAI, krijuesja e ChatGPT, dhe kompanive kineze si DeepSeek.
Komisioni Evropian thekson se sistemet e inteligjencës artificiale që do të zhvillohen në këto qendra do të respektojnë standardet evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale, sigurinë kibernetike dhe etikën në përdorimin e teknologjisë.






















