Shtetet e Bashkuara po përballen me një krizë serioze të furnizimit me gjak, ndërsa Kryqi i Kuq Amerikan ka deklaruar se rezervat kanë rënë në nivele kritike, një situatë që ndodh vetëm për herë të dytë në historinë 150-vjeçare të organizatës.
Sipas Kryqit të Kuq, rezervat e gjakut kanë rënë me 25% vetëm gjatë muajit të fundit, ndërsa spitalet po përballen me një kërkesë në rritje për transfuzione, veçanërisht gjatë sezonit veror.
Dr. Courtney Lawrence, përfaqësuese e Kryqit të Kuq Amerikan, shpjegoi se kombinimi i valëve të të nxehtit ekstrem, zjarreve të shumta dhe shpërthimeve të sëmundjeve të transmetuara nga ushqimi ka ndikuar ndjeshëm në uljen e numrit të dhurimeve.
Organizata, e cila furnizon rreth 40% të gjakut të përdorur në SHBA, po shpërndan aktualisht rreth 3.500 njësi gjaku më shumë se zakonisht për këtë periudhë të vitit, duke përdorur rezervat minimale të disponueshme.
“Gjaku nuk mund të ruhet për një kohë të gjatë, pasi ka afat skadence. Nuk kemi mundësi të krijojmë rezerva të mëdha paraprakisht,” tha Lawrence.
Kryqi i Kuq u ka bërë thirrje qytetarëve të dhurojnë gjak sa më shpejt, pasi nevojiten të gjitha grupet e gjakut, me mungesë më të theksuar të grupit O pozitiv.
Sipas organizatës, disa spitale kanë paralajmëruar se mungesa mund të ndikojë edhe në kryerjen e operacioneve rutinë, ndërsa disa qendra shëndetësore po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të pacientëve drejt spitaleve të tjera nëse rezervat nuk mjaftojnë për rastet urgjente.
Kjo është hera e dytë që Kryqi i Kuq Amerikan shpall një krizë të furnizimit me gjak. Hera e parë ishte në janar të vitit 2022, gjatë pandemisë së COVID-19 dhe motit ekstrem dimëror.
Edhe Kanadaja po përballet me një situatë të ngjashme. Shërbimi Kanadez i Gjakut njoftoi se rezervat kanë rënë me afro 20% që nga fillimi i qershorit, ndërsa numri i takimeve për dhurim ka mbetur shumë poshtë nivelit të zakonshëm të verës, duke rrezikuar furnizimin e qëndrueshëm për pacientët.






















