Irani ka hedhur poshtë zyrtarisht raportimet se është arritur një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët detare më strategjike në botë për transportin e naftës.
Agjencitë iraniane kanë deklaruar se pretendimet për një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Katari nuk janë të vërteta dhe se aktualisht nuk ekziston asnjë dakordësi për rikthimin e lundrimit në këtë zonë.
Teherani ka theksuar se nuk do të lejojë rifillimin e qarkullimit detar për sa kohë që, sipas tij, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë “veprimet armiqësore” ndaj Iranit.
Më herët, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kishte vendosur të anulonte një sulm të planifikuar ndaj Iranit, pas një propozimi kompromisi të ndërmjetësuar nga Katari për rihapjen e ngushticës.
Trump tha se Irani dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme i kishin kërkuar Uashingtonit të shmangte një përshkallëzim ushtarak, ndërsa po zhvilloheshin bisedime për një marrëveshje të mundshme.
Sipas presidentit amerikan, çdo marrëveshje duhet të përfshijë rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit dhe eliminimin e kërcënimit bërthamor që, sipas tij, paraqet Irani.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe strategjike në Lindjen e Mesme, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimeve globale me naftë dhe gaz.






















