Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të pezulluar sulmet ndaj Iranit dhe për të njoftuar se edhe Izraeli i është bashkuar këtij angazhimi ka krijuar një situatë të vështirë për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ende nuk ka reaguar publikisht.
Sipas një analize të CNN, Netanyahu kishte shpresuar ta bindte Trumpin gjatë takimit të tyre të fundit në Shtëpinë e Bardhë që SHBA-ja të vazhdonte me intensitet fushatën ushtarake kundër Iranit. Për liderin izraelit, përfshirja ushtarake amerikane ishte një fitore strategjike, por ndërprerja e saj konsiderohet e parakohshme.
Analiza thekson se për Izraelin prioritet mbetet programi bërthamor i Iranit dhe regjimi në Teheran, ndërsa pezullimi i operacioneve ushtarake mund ta bëjë Netanyahun më të cenueshëm politikisht, sidomos me zgjedhjet e përgjithshme që afrohen.
Në të njëjtën kohë, Netanyahu po përballet edhe me presion në lidhje me Gazën. Trump deklaroi së fundmi se Hamasi ka pranuar të çarmatoset, duke e cilësuar këtë si një "hap monumental drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme". Megjithatë, sipas CNN, qeveria izraelite është skeptike dhe beson se Uashingtoni po nxiton të arrijë një marrëveshje duke bërë lëshime ndaj Hamasit.
Raporti shton se Netanyahu nuk dëshiron kufizime mbi lirinë e veprimit të ushtrisë izraelite në Gaza dhe pritet të përpiqet të vonojë ose edhe të pengojë çdo iniciativë amerikane që synon t'i japë fund ofensivës ose të detyrojë Izraelin të tërhiqet nga pjesë të enklavës.






















