Tre persona kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë zjarri në një restorant të rrjetit “In-N-Out Burger” në qytetin Tëin Falls, në shtetin Idaho të Shteteve të Bashkuara.
Ngjarja e rëndë ndodhi në një qendër tregtare të frekuentuar, ku në momentin e të shtënave ndodheshin qindra persona. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe gjeti trupin e një personi të dyshuar si autor i sulmit në një zonë pranë restorantit.
Autoritetet ende nuk kanë konfirmuar nëse i dyshuari është pjesë e bilancit të viktimave. Disa prej të plagosurve mësohet se janë në gjendje kritike për jetën, ndërsa identitetet e viktimave nuk janë bërë publike, pasi po vijon procesi i njoftimit të familjarëve.
Dëshmitarët kanë përshkruar momente paniku gjatë sulmit. Sipas tyre, një person i armatosur me një pushkë të tipit “AR” është parë duke dalë nga zona e shërbimit të restorantit, ndërsa një tjetër person është kundërpërgjigjur me armë zjarri.
Një punonjës i restorantit është parë duke ndihmuar një kolege të plagosur rëndë në gjoks, duke e larguar nga zona e rrezikut dhe duke qëndruar pranë saj deri në mbërritjen e ekipeve të emergjencës.
Një dëshmitare që ndodhej në restorant me vajzat e saj tha se të shtënat nisën nga pjesa e kuzhinës, ndërsa punonjësit u kërkuan klientëve të shtriheshin në dysheme dhe më pas të largoheshin me shpejtësi nga ambienti.
Policia amerikane vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke marrë në pyetje dëshmitarët dhe duke mbledhur prova. Deri tani nuk është bërë e ditur nëse sulmi kishte një objektiv të caktuar apo ishte një veprim i rastësishëm.






















