Google ka pezulluar vetëm një ditë pas lançimit një funksion të ri eksperimental të Google Earth, pasi përdoruesit nisën ta përdorin teknologjinë për krijimin e imazheve të rreme me përmbajtje të ndjeshme dhe potencial për keqinformim.
Funksioni i ri, i mbështetur nga modeli i inteligjencës artificiale Nano Banana 2, u prezantua më 30 korrik dhe lejonte përdoruesit të modifikonin pamjet reale satelitore përmes komandave me tekst.
Përmes tij, përdoruesit mund të zgjidhnin një zonë në hartë dhe të shtonin elemente të ndryshme, nga ndërtesa e parqe, deri te skena historike apo objekte imagjinare.
Por shumë shpejt teknologjia u përdor për qëllime problematike. Përdoruesit krijuan pamje të rreme që paraqisnin sulme terroriste, baza ushtarake, kampe refugjatësh dhe pasoja të ngjarjeve të sajuara, duke i dhënë pamjeve një pamje realiste falë përdorimit të koordinatave dhe elementeve ekzistuese të hartave.
Mes shembujve të shpërndarë online ishin një objekt bërthamor i rremë në Iran, një varrezë ushtarake e krijuar në Sheshin e Kuq në Moskë, si dhe një skenë e manipuluar që imitonte sulmet terroriste të 11 shtatorit në SHBA.
Google sqaroi se këto ndryshime nuk prekën hartat dhe pamjet zyrtare të Google Earth, por rreziku që materiale të tilla të ruheshin dhe të shpërndaheshin si pamje reale me koordinata të sakta bëri që kompania të ndërhynte menjëherë.
Më 31 korrik, Google njoftoi se funksioni është pezulluar përkohësisht dhe se do të rikthehet vetëm pasi të aplikohen masa më të avancuara sigurie për të parandaluar krijimin dhe përhapjen e përmbajtjeve mashtruese të prodhuara nga inteligjenca artificiale.






















