Bota 3 August 2026, 09:34 Nga VNA

Qendrat e riatdhesimit jashtë vendit: Nga Ruanda në Shqipëri, dështime të kushtueshme njëri pas tjetrit

Ndaje në Whatsapp
Qendrat e riatdhesimit jashtë vendit: Nga Ruanda në Shqipëri,

Projektet për ngritjen e qendrave të riatdhesimit në vende të treta kanë dështuar njëri pas tjetrit, duke u shoqëruar me kosto të larta për taksapaguesit. Megjithatë, pas krizës së emigrantëve në Ceuta, disa vende evropiane po shfaqen të gatshme të mbështesin planin e qeverisë së Giorgia Melonit për krijimin e të ashtuquajturve “return hubs” larg kufijve të Bashkimit Evropian, madje edhe në shtete që vetë BE-ja i konsideron “jo të sigurta”.

Nisma nuk është e re. Ajo është tentuar edhe më parë, por është rrëzuar nga gjykatat kombëtare dhe ndërkombëtare, pasi është vlerësuar në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut.

Eksperimenti britanik në Ruandë

Britania e Madhe, nën drejtimin e ish-kryeministrit Boris Johnson, ishte vendi i parë që propozoi transferimin në Ruandë të emigrantëve që hynin ilegalisht në territorin britanik.

Projekti u rrëzua nga Gjykata Supreme britanike dhe u anulua pas ardhjes në pushtet të ish-kryeministrit laburist Keir Starmer. Megjithatë, gjatë dy viteve ai i kushtoi Londrës rreth 290 milionë paund, të paguara për ndërtimin e strukturave dhe përgatitjen e infrastrukturës në Kigali. Vetëm një vendim i Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit në Hagë, që hodhi poshtë kërkesën e Ruandës për një pagesë shtesë prej 100 milionë paundësh, e shpëtoi Britaninë nga një faturë edhe më e lartë.

Modeli danez në Kosovë

Edhe Danimarka provoi një model të ngjashëm, por të orientuar drejt sistemit penitenciar.

Me argumentin e mbipopullimit të burgjeve, Kopenhaga vendosi të marrë me qira burgun e Gjilanit në Kosovë për të transferuar aty rreth 300 të burgosur të huaj, të cilët do të riatdhesoheshin pas përfundimit të dënimit.

Organizatat për të drejtat e njeriut dhe agjencitë e OKB-së e kanë kritikuar ashpër marrëveshjen, duke argumentuar se ajo cenon parimet e mosdiskriminimit dhe barazisë para ligjit, ndërsa të burgosurit humbasin mbrojtjen që ofron juridiksioni i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi Kosova nuk është pjesë e saj.

Marrëveshja, e miratuar nga Prishtina vetëm në vitin 2024, parashikon një pagesë prej 200 milionë eurosh në vit, përveç kostove të rikonstruksionit të institucionit. Punimet sapo kanë nisur dhe transferimet e para nuk priten para prillit 2027.

Përpjekjet italiane në Shqipëri

Italia kishte tentuar një projekt të ngjashëm edhe në vitin 2002, kur propozoi transferimin në Peqin të shtetasve shqiptarë të dënuar në Itali.

Projekti, që kushtoi rreth 7 milionë euro, dështoi menjëherë, pasi transferimi ishte i mundur vetëm me pëlqimin e të dënuarve dhe asnjë prej tyre nuk pranoi.

Më shumë se dy dekada më vonë, qeveria e Giorgia Melonit dhe ajo e Edi Ramës nënshkruan protokollin që krijoi qendrat e Shëngjinit dhe Gjadrit. Bëhet fjalë për struktura të vendosura në territorin shqiptar, por që funksionojnë nën juridiksionin italian.

Sipas autorëve të analizës, projekti ishte i destinuar të dështonte që në fillim. Edhe para inaugurimit, gjykatat italiane kishin sqaruar se procedurat e përshpejtuara kufitare, të cilat parashikonin kthimin automatik të emigrantëve që vinin nga vende të konsideruara të sigurta, ishin në kundërshtim me ligjin dhe se çdo rast duhej shqyrtuar individualisht.

Një dështim me kosto të lartë

Nga tetori 2024 deri në janar 2025 u realizuan vetëm tre tentativa transferimi. Gjithsej 73 emigrantë u dërguan në qendrat shqiptare, por të gjithë u rikthyen në Itali me urdhër të gjykatave.

Pavarësisht ndryshimeve ligjore të ndërmarra nga qeveria italiane, përfshirë dekretin për vendet e sigurta dhe transferimin e kompetencave te Gjykata e Apelit, situata nuk ndryshoi.

Sipas llogaritjeve të organizatës ActionAid dhe Universitetit të Barit, vetëm gjatë vitit 2024 qendrat në Shqipëri i kushtuan Italisë të paktën 114 mijë euro në ditë.

Edhe faza e dytë e projektit rezultoi zhgënjyese. Nga maji 2025 deri në mesin e korrikut 2026 në Shqipëri u transferuan 685 persona, por më pak se 15% e tyre u riatdhesuan.

Vlerësimet tregojnë se kostoja mesatare për çdo riatdhesim ka qenë rreth 500 mijë euro, duke qenë se vetëm gjatë vitit 2025 administrimi i qendrës së Gjadrit kushtoi 50 milionë euro, ndërsa u realizuan vetëm 101 riatdhesime, sipas ministrit italian të Brendshëm Matteo Piantedosi.

Ndërkohë, në këto struktura janë regjistruar të paktën 95 tentativa vetëvrasjeje dhe raste vetëlëndimi.

Në pritje të vendimeve të gjykatave

ActionAid ka depozituar një kallëzim pranë Gjykatës së Llogarive italiane për të hetuar shpenzimet, ndërsa Autoriteti Kombëtar Antikorrupsion (ANAC) mund të shqyrtojë parregullsitë e dyshuara në tenderët e administrimit të qendrave.

Ndërkohë, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian pritet të vendosë nëse qendrat e ndalimit dhe rregullat për vendet e treta të sigurta janë në përputhje me të drejtën evropiane. Vendimi pritet gjatë muajit shtator.

Synimi i radhës: Libia?

Paralelisht, Italia dhe Bashkimi Evropian po punojnë edhe për një model të ngjashëm në Libi.

Së fundmi, Brukseli ka miratuar planet për ngritjen e një Qendre të Koordinimit të Shpëtimit Detar në Bengazi, zonë e kontrolluar nga gjenerali Khalifa Haftar.

Organizatat humanitare shprehen të shqetësuara se kjo mund të jetë hapi i parë drejt njohjes së Kirenaikës si “port i sigurt” dhe më pas si “vend i sigurt”, duke e shndërruar atë në një nga kandidatët kryesorë për ngritjen e qendrave afrikane të riatdhesimit që mbështeten nga qeveria Meloni dhe një pjesë e së djathtës evropiane.

Video

Ernest Muçi e nis me gol sezonin e ri te Trabzonspori! Shqiptari “kuqezi” ka gjetur menjëherë rrugën e rrjetës me fanellën e skuadrës turke, duke realizuar një gol të bukur në miqësoren ndaj Udineses. Muçi zhbllokoi sfidën që në minutën e 4-t, duke i dhënë avantazhin 1-0 Trabzonsporit me një goditje spektakolare.

Ermal Beqiri drejt ekstradimit, media franceze zbulon kërkesën zyrtare të Shqipërisë

Plas arma në jaht, shkarkohet një karikator i tërë. Tmerr mes pushuesve në Palasë Momente paniku janë regjistruar në brigjet e Palasës, ku nga një jaht u dëgjuan të shtëna arme që, sipas dëshmitarëve, i ngjanin shkarkimit të një karikatori të tërë. Në bord ndodhej një grup personash që kishin ankoruar jahtin pranë bregut dhe po festonin, kur për arsye ende të paqarta u dëgjuan të shtënat, duke shkaktuar frikë dhe panik te pushuesit që ndodheshin në zonë. Deri më tani asnjë reagim nga policia.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme