Rreth 700 banorë të komunës Le Porge, në rajonin Gironde të Francës, po përgatiten të ngrenë padi ndaj autoriteteve, duke i akuzuar se orientuan forcat zjarrfikëse për të mbrojtur gadishullin luksoz Cap Ferret, ndërsa lanë fshatin e tyre të përfshihej nga flakët.
Sipas banorëve, gjatë zjarreve shkatërruese që përfshinë jugperëndimin e Francës në dy javët e fundit, nga 240 banesat e djegura, 183 ndodheshin në Le Porge. Mbi 10% e ndërtesave të qytetit u shkatërruan nga flakët.
Pakënaqësia shpërtheu në një mbledhje publike të bashkisë, ku banorët kërkuan shpjegime nga autoritetet. Ludivine Daurignac, e cila udhëheq grupin që po organizon padinë, deklaroi se synimi është të zbardhen plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe të sigurohet dëmshpërblim për familjet e prekura.
“U ndjemë të braktisur. Duam përgjigje konkrete dhe që të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që çuan në këtë rezultat tragjik,” u shpreh ajo për mediat franceze.
Cap Ferret konsiderohet si një nga destinacionet më ekskluzive të Francës, i krahasuar shpesh me Hamptons në SHBA. Në këtë zonë kanë rezidenca pushimi miliarderi francez Xavier Niel, aktorja Marion Cotillard dhe personalitete të tjera të njohura. Këtë pranverë aty u inaugurua edhe hoteli i parë me pesë yje, Villa Colette.
Akuzat janë hedhur poshtë nga kryeministri francez Sébastien Lecornu, i cili i cilësoi pretendimet si teori konspirative. Ai tha se është e paimagjinueshme që shërbimet zjarrfikëse të vendosin të mbrojnë një zonë vetëm sepse është më e pasur.
Ndërkohë, avokati i banorëve, Sylvain Galinat, po mbledh dëshmi për të depozituar padi penale dhe administrative, me synimin për të zbardhur nëse pati neglizhencë apo gabime në menaxhimin e emergjencës.
Zjarret që goditën jugperëndimin e Francës dogjën rreth 42 mijë hektarë tokë dhe detyruan evakuimin e mbi 220 mijë personave.






















