Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer vëmendjen te pretendimet e tij për zgjerimin territorial të Shteteve të Bashkuara, pasi ripostoi në platformën “Truth Social” një imazh ku Venezuela paraqitet si “shteti i 51-të” i SHBA-së.
Në imazhin e publikuar shfaqet një hartë e veriut të Amerikës së Jugut, ku territori i Venezuelës është ngjyrosur me ngjyrat e flamurit amerikan, ndërsa sipër saj shkruhet “Shteti i 51-të”.
Postimi vjen disa muaj pasi Trump kishte sugjeruar publikisht mundësinë që Venezuela të bëhej pjesë e Shteteve të Bashkuara. Kjo nuk është hera e parë që presidenti amerikan publikon materiale të tilla, pasi më herët ka shpërndarë harta të modifikuara që lidhen me ambiciet territoriale të SHBA-së.
Në janar, Trump publikoi një imazh ku Venezuela, Groenlanda dhe Kanadaja paraqiteshin nën flamurin amerikan. Që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, ai ka folur disa herë për mundësinë e aneksimit të Groenlandës dhe për Kanadanë si një shtet të mundshëm të 51-të të SHBA-së.
Megjithatë, rasti i Venezuelës shihet si më i ndërlikuar për shkak të zhvillimeve politike dhe ndërhyrjeve amerikane në vend.
Sipas raportimeve, marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Karakasit janë tensionuar ndjeshëm, ndërsa SHBA-të kanë qenë të përfshira në zhvillimet politike në Venezuelë pas arrestimit të ish-presidentit Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij Cilia Flores, të cilët u transferuan në SHBA për të përballuar procesin gjyqësor.
Pas këtyre zhvillimeve, Delcy Rodriguez mori detyrën si presidente e përkohshme e Venezuelës, ndërsa Uashingtoni vijon të jetë i përfshirë në negociatat për të ardhmen politike të vendit.






















