Prokuroria e Posaçme ka zbardhur detaje të reja mbi operacionin që çoi në arrestimin e Ermal Beqirit në Francë, duke bërë të ditur se autoritetet franceze kanë identifikuar pasuri të konsiderueshme që dyshohet se kanë origjinë kriminale.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Ermal Beqiri është regjistruar si person nën hetim që më 5 dhjetor 2025 për një sërë veprash penale, mes tyre korrupsion aktiv, pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera, grup i strukturuar kriminal, konkurrencë e paligjshme me dhunë dhe heqje e paligjshme e lirisë.
Më 15 dhjetor 2025, GJKKO caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa disa ditë më vonë SPAK kërkoi shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar përmes një Red Notice të Interpolit.
SPAK bën të ditur se më 19 qershor 2026 kërkoi zyrtarisht mbështetjen e autoriteteve franceze për lokalizimin e Beqirit, pasi kishte informacione se ai ndodhej në Francë. Menjëherë pas kësaj nisi bashkëpunimi mes Shërbimit të Sigurisë së Brendshme (SSI), Policisë Gjyqësore Franceze (DNPJ), Zyrës Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO) dhe strukturave të tjera franceze.
Sipas SPAK, hetimet në Francë konfirmuan praninë e Beqirit dhe zbuluan një sërë pasurish që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale. Mes tyre janë llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente, si edhe blerja e një kështjelle në departamentin Oise, me vlerë rreth 2.6 milionë euro, përveç mjeteve motorike dhe aseteve të tjera.
Për këto pasuri, Prokuroria e Posaçme ka dërguar kërkesë për ndihmë juridike autoriteteve franceze me qëllim sekuestrimin e tyre, ndërsa hetimet financiare vijojnë edhe për identifikimin e aseteve të tjera.
SPAK konfirmon se Ermal Beqiri u arrestua më 24 korrik 2026, pasi hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar mbi centralin bërthamor të Penly-t dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Albert-it. Pas arrestimit, gjykata franceze vendosi vazhdimin e paraburgimit të tij për qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë.
Sipas njoftimit, me kërkesë të SPAK autoritetet franceze kanë ushtruar kontrolle personale dhe në disa prona të Beqirit, ku janë sekuestruar sende që konsiderohen me interes për hetimin penal.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka përcjellë përmes Ministrisë së Drejtësisë kërkesën zyrtare për ekstradimin e Ermal Beqirit nga Franca në Shqipëri, ndërsa hetimet dhe bashkëpunimi mes autoriteteve të dy vendeve vijojnë si në aspektin penal, ashtu edhe në gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.





















