Media franceze Ouest-France, duke cituar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), raporton se Shqipëria i ka kërkuar zyrtarisht Francës ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiri, i arrestuar pas fluturimit të paautorizuar mbi centralin bërthamor të Penly, në Normandi.
Sipas Ouest-France, Beqiri u arrestua javën e kaluar në aeroportin e Albertit, në veri të Francës, pasi fluturoi me një avion të lehtë mbi centralin bërthamor të Penly, një prej impianteve të përzgjedhura nga qeveria franceze për ndërtimin e gjashtë reaktorëve të rinj bërthamorë EPR2.
44-vjeçari u gjykua me procedurë të përshpejtuar në Amiens, ku u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh. Pas vendimit, ai u la në paraburgim në pritje të procedurës së ekstradimit drejt Shqipërisë.
Sipas njoftimit të SPAK, të cituar nga Ouest-France, Ermal Beqiri është nën hetim në Shqipëri që prej vitit 2025 për rolin e tij të dyshuar në një skandal të madh korrupsioni, që lidhet me tenderë të manipuluar me vlera prej miliona eurosh. Autoritetet shqiptare e dyshojnë për mashtrim, skemë të organizuar kriminale dhe vepra të tjera penale financiare, ndërsa ndaj tij ishte lëshuar më herët një urdhër kërkimi ndërkombëtar.
Artikulli i Ouest-France thekson se hetimet e autoriteteve franceze kanë identifikuar në territorin francez disa pasuri që dyshohet se burojnë nga veprimtari kriminale. Sipas SPAK, bëhet fjalë për llogari bankare me një vlerë totale mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një avion turistik, automjete dhe një kështjellë në departamentin Oise, me një vlerë të përllogaritur rreth 2.6 milionë euro.
Po sipas medias franceze, Zyra Qendrore Franceze për Luftën kundër Krimit të Rëndë Financiar (OCRGDF), e cila ka zhvilluar hetimet në Francë, ka përgatitur, në koordinim me autoritetet gjyqësore franceze dhe shqiptare, masat për sekuestrimin e këtyre pasurive.
Ouest-France vëren gjithashtu se në profilin e tij në LinkedIn, Ermal Beqiri kishte publikuar vitin e kaluar një fotografi me presidentin francez Emmanuel Macron.
Sipas Prokurorisë franceze, cituar nga Ouest-France, procedura e ekstradimit pritet të zgjasë disa javë.





















