
Një 24-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pasi u godit me thikë gjatë një konflikti në Vescovato të Italisë. Viktima është identifikuar si N. Dalipaj, ndërsa autor i dyshuar i ngjarjes është 32-vjeçari italian Mattia Miraglia, i cili është arrestuar nga policia.
Sipas mediave italiane, i riu shqiptar u godit tri herë në pjesën e qafës. Ai u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi t'u mbijetonte plagëve të marra, duke ndërruar jetë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.
Edhe autori i dyshuar mbeti i plagosur gjatë konfliktit dhe ndodhet nën mbikëqyrje policore në spitalin Maggiore.
Nga hetimet paraprake rezulton se konflikti mund të ketë nisur për motive sentimentale, të lidhura me xhelozinë për një vajzë. Fillimisht, mes dy të rinjve pati një debat në një lokal, i cili dukej se ishte mbyllur pa pasoja.
Megjithatë, më vonë, 24-vjeçari shqiptar, i shoqëruar nga vëllezërit e tij, shkoi pranë banesës së 32-vjeçarit në Vescovato. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes nga autoritetet italiane, Miraglia zbriti nga banesa i armatosur me një thikë, plagosi fillimisht në bark një nga vëllezërit e viktimës dhe më pas goditi për vdekje 24-vjeçarin.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të dokumentuar dinamikën e konfliktit.






















