
Rasti i një gruaje që ra viktimë e abuzimit të tmerrshëm seksual nga një i afërm i saj, mbeti i padenoncuar për shumë vite për shkak të këshillës së një prifti.
2 gusht 2026 | Mark Laurence Zammit
Një rast abuzimi të tmerrshëm seksual ndaj fëmijëve mbeti i padenoncuar për shumë vite, pasi një prift i shtyu viktimat ta falnin abuzuesin në vend që ta denonconin atë, sipas njërës prej viktimave.
Një hetim gati njëvjeçar i "Times of Malta" ka zbuluar se abuzimi, i cili në vitet '80 ishte gjerësisht i përhapur, u denoncua në polici vetëm në fillim të viteve 2000, më shumë se 10 vjet pasi murgu domenikan George Frendo (i cili më vonë u bë kryepeshkop i një dioqeze në Shqipëri) mësoi për abuzimin.
Hetimi publikohet në episodin më të fundit të "Times Talk", ku njëra nga viktimat rrëfen me hollësi tronditëse tmerrin e abuzimit.
Ajo tregon se, së bashku me fëmijë të tjerë të familjes, u abuzua në mënyrë të përsëritur nga një i afërm dhe më vonë u abuzua sërish nga një prift tek i cili ishte drjetur për ndihmë. Por, për vite me radhë peshkopi Frendo e shtyu familjen e saj që t'i falnin abuzuesit, në vend që t'i denonconin ata në polici.
Frendo, tashmë 80-vjeçar dhe në pension, pranoi të jepte një intervistë për emisionin "Times Talk", ku këmbënguli se vendimi i tij për të mos iu drejtuar policisë erdhi si pasojë e presionit nga të afërm të tjerë; ata druheshin se çështja do ta përçante familjen nëse do të shkonte në gjykatë.
Ai tha se, kur në vitin 1990 mësoi për herë të parë për abuzimin, vendi ishte ende i zhytur në një kulturë ku njerëzit mendonin se denoncimi i abuzimit në polici vetëm sa do t'i dëmtonte më tej viktimat. Megjithatë, ai pranoi se kjo "mendësi e ´omertà´-s" – siç e quajti ai – ishte e gabuar dhe e pranoi që nga këndvështrimi i sotëm, do të duhej që atëherë t'i ishte drejtuar policisë menjëherë. Por, në atë kohë, ndërgjegjësimi rreth pasojave negative të abuzimit ndaj fëmijëve nuk ishte aq i madh sa është sot.
Fëmijë të zhveshur, burra të rritur
Gruaja, identiteti i së cilës mbrohet nga "Times of Malta", vendosi të flasë pasi e pa Frendon në një emision televiziv vitin e kaluar, ku diskutohej një rast tjetër abuzimi dhe ku ai shprehej se viktimat duhet të falin para se të kërkojnë drejtësi.
Ajo tha se kur dëgjoi ato komente e kuptoi se ai nuk kishte "mësuar asgjë" nga ajo që i kishte ndodhur asaj dekada më parë.
"Nuk e kisha ndërmend të dilja publikisht, para se ta shihja në televizion vitin e kaluar. Por fjalët e tij më bënë të mendoj se edhe sot e kësaj dite ai mund të vazhdojë t'i shtyjë njerëzit të falin në vend që të denoncojnë," - tha ajo.
"Më e keqja është, se tani ai është peshkop; dhe ka më shumë ndikim e fjalët e tij kanë më shumë peshë."
Ajo thotë se është abuzuar seksualisht nga një i afërm i familjes për vite me radhë, dhe se abuzimi kishte filluar para se ajo të merrte Kungimin e Parë. Ajo pretendon se ai abuzoi edhe me të afërm të tjerë dhe miq të familjes që ishin fëmijë.
Ajo tregon se i afërmi u tregonte atyre materiale pornografike para se t'i detyronte të kryenin akte seksuale mbi veten, me fëmijë të tjerë dhe me vetë atë, ndërsa ai i vëzhgonte.
Ndonjëherë ai u kërkonte të zhvisheshin lakuriq para tij, të preknin njëri-tjetrin dhe organet e tij gjenitale. Ai gjithashtu i detyronte të përdornin lodra seksi dhe objekte të tjera, si bishta fshesash.
Dëshmitë e dhëna në polici vite më vonë, të cilat janë parë nga gazeta "Times of Malta", konfirmojnë se viktima të tjera kujtonin raste kur ai qëndronte vetëm me ta, si dhe raste të tjera kur sillte miq të tij, burra të rritur, për të parë fëmijët teksa kryenin akte seksuale.
Ndonjëherë, ndërsa darkonin me familjen e gjerë, ai e ulte atë në prehër dhe i fuste dorën në të brendshmet, ose ia vendoste dorën e saj mbi organet e tij gjenitale nën tavolinë.
Ai ndonjëherë abuzonte me fëmijët në shtëpinë e tij ose në vendin e punës, dhe kjo grua kujton se ai e kishte përdhunuar kur ajo ishte fëmijë.
"Mbaj mend një herë, shumë kohë para se të më vinin menstruacionet e para, që u gjakosa," tha ajo. "Nuk i kisha mbushur ende 10 vjeç atëherë. Nuk dija asgjë rreth menstruacioneve apo riprodhimit."
Burri i thoshte se duhej t'i mbante sekret veprimet e tyre, përndryshe do ta merrnin nga familja dhe do ta dërgonin të jetonte në një jetimore. Kjo është arsyeja pse gruas iu deshën vite për të gjetur guximin t'ua tregonte prindërve – guxim që e gjeti vetëm kur filloi shkollën e mesme.
Kur në orën e diturisë filluan të mësonin rreth riprodhimit, ajo u kaplua nga një frikë e madhe se mund të mbetej shtatzënë nga i afërmi i saj; kjo frikë përfundimisht e shtyu atë t'i tregonte nënës së saj për abuzimin.
Këshilla e priftit
Në një moment paniku të madh, prindërit e saj iu drejtuan Atë George Frendos, një prift që ishte i afërt me familjen dhe tek i cili kishin besim. Gruaja tregon se ai i këshilloi të mos e denonconin rastin në polici.
"Mbaj mend që ai i tha nënës sime se denoncimi do të më shkaktonte më shumë vuajtje dhe se mënyra më e mirë për të më ndihmuar ishte të më mbështesnin në procesin e faljes," tha ajo.
Në intervistën për "Times of Malta", Frendo konfirmoi se ishte kontaktuar nga familja në maj të vitit 1990, por këmbënguli se në atë kohë nuk ishte vënë në dijeni për të gjitha detajet tronditëse të abuzimit dhe se, kur e telefonuan fillimisht, prindërit nuk i thanë se donin t'i drejtoheshin policisë. Ata thjesht donin që ai ta qortonte të afërmin për të ndaluar abuzimin, gjë që ai e bëri po atë ditë.
Gjithashtu, ai tha se e kishte këshilluar atë [abuzuesin] të konsultohej me një psikolog dhe të rrëfehej, dhe këmbëngul se, me sa dinte ai, abuzimi ishte ndërprerë plotësisht, pasi fëmijët nuk lejoheshin të kishin kontakte me abuzuesin deri kur ai vdiq, vite më vonë.
Megjithatë, viktima thotë se kjo nuk është e vërtetë. Ajo tha se nëna e saj ia kishte bërë të qartë se donte t'i drejtohej policisë që në momentin e parë kur i tregoi për abuzimin, por ai i kishte thënë se shërimi i vërtetë do të vinte përmes një rrugëtimi lutjeje dhe faljeje.
Ndonëse kontakti me abuzuesin u ndërpre përkohësisht, ai rifilloi rreth një vit më vonë, pasi Frendo e shtyu familjen e gjerë të bashkohej për Krishtlindje; ishte një rast gjatë të cilit asaj iu desh të përballej me abuzuesin e saj. Gruaja që foli për "Times of Malta" tha se ajo përvojë ishte pothuajse po aq traumatike sa vetë abuzimi, sepse e minimizonte rëndësinë e traumës. "Ajo ngjarje dukej sikur i dha atij lejen për të abuzuar sërish," tha ajo.
Frendo mohon se e ka inkurajuar ndonjëherë familjen të bashkohej dhe këmbëngul se, me sa dinte ai, abuzuesi nuk kishte mundësi kontakti me fëmijët. Viktima këmbëngul se ai kishte pasur mundësi të tilla.
Frendo pranoi se kishte pasur një moment kur i kishte shkurajuar familjarët ta denonconin rastin në polici, por kjo kishte ndodhur vite më vonë dhe vetëm sepse dy të afërm të viktimës kishin ushtruar presion mbi të [Frendon] që ta bindte viktimën ta tërhiqte çështjen. “Duhet ta kuptoni se isha nën presion nga vetë të afërmit e saj; dhe kush jam unë që të dal kundër dy personave të rëndësishëm në familjen e saj?” – tha Frendo në mënyrë të përsëritur gjatë intervistës.
“Prandaj mendova se nuk duhej të shkoja te policia.”
Ai pranoi se, duke parë gjërat në retrospektivë, mendon se duhet të kishte vepruar ndryshe. Nëse rasti do t’i paraqitej sot, ai do ta raportonte menjëherë në polici, sepse – siç u shpreh ai – ndonëse falja është e rëndësishme, ajo duhet të shkojë paralelisht me drejtësinë. Ai tha se tani e kupton që “nuk mjafton të dënosh të keqen” pa ndërmarrë gjithashtu veprime për ta parandaluar atë. "Përmes drejtësisë mund të sigurojmë që abuzuesit nuk do të shkaktojnë më viktima," pranoi ai.
Por ai theksoi gjithashtu se e gjithë kjo kishte ndodhur më shumë se 30 vjet më parë, në një shoqëri që kishte një qasje tjetër ndaj peshës që ka kërkimi i drejtësisë. Kishte shumë më pak ndërgjegjësim për pasojat negative të abuzimit ndaj fëmijëve dhe ky kontekst është thelbësor, tha ai.
Malta, vitet '90
Gazeta "Times of Malta" foli me disa ekspertë gjatë hetimit dhe ata konfirmuan se kjo ishte kultura mbizotëruese në vitet '90, jo vetëm në Kishë dhe jo vetëm në Maltë.
Për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit dhe shërbimeve mbështetëse, ata që mësonin për abuzimin rrallë e raportonin atë. Shpesh, nga një shqetësim i sinqertë, njerëzit i këshillonin viktimat të mos ndërmerrnin veprime ligjore, nga frika se procesi gjyqësor do të shkatërronte familjet dhe do ta përkeqësonte traumën.
Ajo frikë nuk ishte krejtësisht e pabazuar. Hulumtimet tregojnë se, ndonëse kërkimi i drejtësisë është jetik për shërimin, sistemet gjyqësore shpesh shkaktojnë atë që njihet si ri-viktimizim.
Çështjet që zgjasin me vite i detyrojnë viktimat të dëshmojnë vazhdimisht, të përballen me ekspozimin në media dhe ta përjetojnë sërish traumën shumë kohë pasi e kanë kaluar atë. Disa ekspertë paralajmërojnë se ky viktimizim dytësor mund të jetë po aq shkatërrues sa vetë abuzimi fillestar.
Megjithatë, ekspertët bien dakord se heshtja ka një kosto edhe më të lartë, pasi lejon që kultura e heshtjes të rrënjoset dhe të shkaktojë dëme shumë më të mëdha. Duke e ditur se nuk do të denoncohen kurrë te autoritetet, autorët ndihen të sigurt për të vazhduar abuzimin me viktima të vjetra dhe të reja.
Gruaja më në fund e raportoi të afërmin e saj te shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve në fillim të viteve 2000, pasi kishte kaluar pak kohë me kushërirën e saj të vogël, e cila i tregoi se si ai e guduliste kur ajo ishte me të.
Ajo e denoncoi rastin, nga frika se ai mund të vazhdonte të abuzonte me fëmijët. I afërmi u arrestua dhe u mor në pyetje menjëherë nga policia, si dhe u akuzua në gjykatë për abuzim seksual me fëmijë. Gjatë gjithë procesit gjyqësor, ai u deklarua i pafajshëm për krimet dhe ndërroi jetë ndërkohë që çështja ishte ende në shqyrtim.
Një abuzues i dytë
Por sikur të mos mjaftonte kjo, gruaja pretendon se iu desh të përjetonte një abuzim të dytë kur ishte ende adoleshente, këtë herë nga një prift, një tjetër frat domenikan si Frendo.
Pasi mori vesh për abuzimin e parë, Frendo e prezantoi atë me një grup të rinjsh të drejtuar nga At Charles Fenech, në atë kohë një figurë në ngritje e Urdhrit Domenikan, i cili kishte themeluar Lëvizjen popullore "Kerygma" dhe "Radju Marija".
Në atë kohë ajo ishte 17 vjeç dhe Frendo mendonte se grupi i të rinjve do ta ndihmonte të kapërcente problemet që po errësonin vitet e saj të adoleshencës. Ajo thotë se Fenech e ndihmoi vërtet shumë, veçanërisht pasi mësoi për abuzimin që ajo kishte pësuar në fëmijëri.
Ajo tregoi se ai e mori nën kujdesin e tij dhe u bë udhërrëfyesi i saj shpirtëror, por më vonë mes tyre lindi një "lidhje romantike", gjatë së cilës ata ndonjëherë putheshin dhe madje shtriheshin në të njëjtin shtrat.
Gruaja tha se ai e nisi lidhjen dhe se ajo i kishte treguar se po krijonte një lidhje emocionale romantike me të. Ajo thotë se kjo nuk e ndaloi atë, edhe pse ai e dinte se sa e cenueshme ishte ajo për shkak të abuzimit të fëmijërisë.
Ajo tregon se kur, pak kohë më vonë, i rrëfeu Frendos – i cili ndërkohë shërbente si misionar në Shqipëri – atë që kishte ndodhur me Fenech-un, ai refuzoi të ndërhynte. Në atë kohë, Fenech ishte emëruar provincial i Urdhrit Domenikan në Maltë dhe gruaja thotë se Frendo nuk donte të dilte kundër eprorit të tij. "Fjalët e tij ishin: 'Nuk mund të bëj asgjë për këtë. Ai burrë është si babai im tani, sepse është provinciali i domenikanëve'," - tha ajo.
Ajo thotë se kur këmbënguli se donte ta denonconte atë, Frendo i dërgoi një letër nga misioni i tij në Shqipëri, duke e nxitur të donte dhe të falte në vend që të kërkonte hakmarrje, si dhe të respektonte njerëzit që ai vetë i donte dhe i respektonte.
"Nuk i besova asaj dhe më vjen keq"
Gjatë intervistës, Frendo e pranoi se kur ajo i tregoi për rastin e dytë të abuzimit, ai nuk e besoi, duke menduar se ndoshta ajo po e trillonte ngjarjen si pasojë e viteve të vështira të adoleshencës. "Ishte një gabim nga ana ime – fakti që nuk i besova – dhe për këtë i kërkoj sinqerisht falje," - tha ai për “Times of Malta”.
" Edhe Fenech më kishte shkruar, ndërsa ndodhesha në Shqipëri, për të më treguar se nëna e saj kishte shkuar ta qortonte për atë që i kishte bërë vajzës së saj, dhe më kërkoi që t'i bindja ato t'i tërhiqnin këto akuza." Ai tha se në atë kohë i besoi atij dhe jo gruas, dhe pikërisht për këtë arsye i shkroi asaj letrën në fjalë.
Megjithatë, ai sqaroi se kur e prezantoi për herë të parë gruan me Fenech-un dhe lëvizjen "Kerygma", nuk kishte dëgjuar kurrë akuza se Fenech po sillej në mënyrë imorale. Deri në atë moment, ai e shihte atë vetëm si udhëheqësin karizmatik që shumë njerëz e admironin.
Pyetjet dërguar At Charles Fenech mbetën pa përgjigje deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli.
Më vonë Fenech u akuzua për abuzim seksual në një çështje tjetër. Në vitin 2017, ai u shpall fajtor për abuzim seksual ndaj një gruaje të rritur me probleme të shëndetit mendor, e cila kishte ngritur akuza të ngjashme; megjithatë, një vit më vonë ai u shpall i pafajshëm në apel, pasi gjykata vendosi se marrëdhënia kishte qenë me pëlqim.
Edhe gruaja që foli për “Times of Malta” e raportoi rastin e saj me Fenech-un pranë Komisionit të Kishës për Mbrojtjen e Individëve (Safeguarding Commission), i cili e hetoi çështjen disa vite më vonë.
Policia nuk mundi ta dërgonte çështjen në gjykatë pasi kishte kaluar afati ligjor për ndjekje penale.
“Times of Malta” ka parë dokumente nga hetimet për të dyja rastet e abuzimit dhe ato mbështesin rrëfimin e gruas. Burime pranë Kuries (administratës) së Kryepeshkopit konfirmuan gjithashtu se versioni i saj i ngjarjeve konsiderohet i besueshëm.
“Times of Malta” pyeti edhe Kishën dhe Urdhrin Domenikan lidhur me statusin aktual të At Charles Fenech-ut.
Edhe pse ai u shfajësua nga të gjitha akuzat penale vite më parë, të dyja institucionet konfirmuan se atij ende i ndalohet ushtrimi publik i shërbimit priftëror, për një periudhë të pacaktuar.
Urdhri Domenikan konfirmoi gjithashtu se atij i ndalohet të ushtrojë detyrën e priftit jashtë vendit. Në përgjigjen e tyre, domenikanët deklaruan se i trajtojnë me seriozitet të gjitha pretendimet për abuzim, se i referojnë raste të tilla te komisioni për mbrojtjen e personave të cenueshëm për shkak të konfliktit të interesit dhe se ligji i detyron ata të raportojnë abuzimin ndaj të miturve.
"Dëshiroj të rikonfirmoj angazhimin e plotë të Provincës Dominikane të Maltës dhe përputhjen e saj me standardet më të larta të mbrojtjes, siç përcaktohen në Politikën e Kishës për Mbrojtjen e Personave të Cenueshëm, të miratuar nga Kisha në Maltë dhe Gozo në vitin 2024, me qëllim që të sigurojmë se hapësirat tona mbeten të sigurta për të gjithë ata që i frekuentojnë ato," tha provinciali.
Komisioni mbrojtës tha se çdo akuzë që përfshin të mitur ose të rritur të cenueshëm trajtohet me seriozitetin më të madh dhe se rastet kur të miturit mbeten në rrezik i referohen drejtpërdrejt policisë dhe Drejtorisë së Mbrojtjes së Fëmijëve.
"Asnjë akuzë ose shqetësim në lidhje me abuzimin e një të mituri ose të rrituri të cenueshëm kurrë nuk duhet të minimizohet ose anashkalohet. Kushdo që dëshiron të raportojë shqetësime që përfshijnë personelin e Kishës duhet ta bëjë këtë në konfidencialitet te komisioni mbrojtës ose organi përkatës i rregullt", tha një zëdhënës i Kurias.
"Kur një ankesë ka të bëjë me abuzimin e supozuar të një të mituri ose kur një i mitur mund të jetë në rrezik dëmtimi, komisioni menjëherë e raporton çështjen në polici ose në drejtorinë e mbrojtjes së fëmijëve, në përputhje me ligjin maltez."






















