
Në pritje të shqyrtimit në Asamblenë Socialiste të mocionit të saj për “Marrëveshjen e Re për Shqipërinë”, Elisa Spiropali ka lëshuar një tjetër mesazh të koduar në rrjetet sociale. Tani inspirimin e ka gjetur te natyra: me foton e një lumi shqiptar, ajo filozohon se “pengesat mund ta detyrojnë lumit të ndryshojë rrjedhën, por kurrë destinacionin”.
Ky është vetëm kapitulli i radhës i një filozofie romantike që nisi në mes të korrikut, kur kërkoi hapur “dialog kombëtar”, më shumë demokraci të brendshme, meritokraci dhe reformim të vetë PS-së, duke zbuluar befas se pakënaqësitë qytetare nuk dashkan injoruar.
Rilindja e saj si zë kritik brenda grupit parlamentar nisi menjëherë pas largimit nga posti i ministres së Jashtme. Që nga ai moment që shënoi kthesën në karrierë, ish-“Mamica” nuk e ka fshehur më mllefin ndaj “Skënderbeut” të saj politik.
Qëndrimet kryengritëse arritën kulmin në prill, kur Rama e kritikoi publikisht për mungesën në Kuvend gjatë votimit për të mbrojtur Belinda Ballukun nga kërkesa e SPAK-ut, si dhe për “çarçafët” e gjatë me kritika në rrjetet sociale. Pasi kryeministri i kujtoi prerë se “herën e tretë del nga Grupi”, Spiropali u përgjigj me tone këeshilluese se “nuk është trimëri të përjashtosh, por të dëgjosh”.
Pas më shumë se një dekade në majat e administratës së Rilindjes prej vitit 2013, Spiropali ka zgjedhur më në fund të shfaqë pakënaqësinë e saj, ndonëse me kujdesin për të mos e kaluar vijën e kuqe të vendosur nga Rama.
Ironia më e madhe qëndron në faktin se po i njëjti pushtet që po kritikon sot, ka meritën e padiskutueshme për metamorfozën e saj politike, duke e shndërruar nga një aktiviste të panjohur në një personazh të kuruar deri në detaj të pushtetit. Tani, me mesazhet e saj mbi rrjedhën e lumenjve, mbetet për t’u parë nëse zyra e saj e re në zemër të ish-Bllokut është thjesht një adresë e re pune, apo pika e nisjes për një kryengritje të vërtetë në pallat.






















