
Policia e Bulqizës ka arrestuar drejtuesin teknik të një subjekti minerar, pas aksidentit tragjik që i mori jetën minatorit Ilir Kolaveri, ngjarje e ndodhur më 1 gusht.
Në pranga ka rënë Përparim Koçi, 63 vjeç, banues në fshatin Vajkal, i cili ushtronte detyrën e drejtuesit teknik në subjektin minerar ku ndodhi aksidenti.
Sipas hetimeve paraprake, 63-vjeçari dyshohet se nuk ka zbatuar rregullat e mbrojtjes në punë, çka ka sjellë si pasojë aksidentimin fatal të 40-vjeçarit Ilir Kolaveri.
Policia bën me dije se arrestimi u krye nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë, pas veprimeve hetimore të zhvilluara në lidhje me ngjarjen.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprën penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë", ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.






















