
Interesat e përbashkëta aktuale mes Izraelit dhe Serbisë, së bashku me miqësinë e tyre historike, po krijojnë një partneritet në rritje që meriton më shumë vëmendje.
Nga JONATHAN SPYER, “The Jerusalem Post”
Në një konferencë të fundit, e mbajtur në Asamblenë Kombëtare në Beograd, ku mora pjesë edhe unë, në qendër të vëmendjes u vu një aspekt i rëndësishëm, por pak i trajtuar në media, i politikës së jashtme izraelite: marrëdhëniet që po lulëzojnë ndërmjet Izraelit dhe Serbisë.
Këto lidhje janë forcuar ndjeshëm gjatë pothuajse tre viteve të luftës në Lindjen e Mesme. Në një kohë kur marrëdhëniet e Izraelit me disa vende europiane janë tensionuar, kryesisht për shkak të kundërshtimeve të brendshme ndaj luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gaza, rritja e bashkëpunimit mes Jeruzalemit dhe Beogradit përbën një zhvillim që tërheq vëmendje të veçantë.
Marrëdhënia mes dy vendeve nuk është pa ndërlikime. Lidhjet e ngushta historike të Serbisë me Rusinë, si dhe përpjekja e presidentit të saj, Aleksandër Vuçiç, për të ruajtur, të paktën publikisht, një qëndrim të baraslarguar në përballjen e re gjeopolitike mes SHBA-së dhe Kinës, e vendosin Serbinë në një pozicion të ndryshëm në hartën strategjike krahasuar me Izraelin.
Megjithatë, këto elemente nuk duhet të errësojnë pamjen e përgjithshme: marrëdhëniet mes dy vendeve po zgjerohen dhe po konsolidohen. Thellimi i këtyre lidhjeve është vënë re edhe nga kundërshtarët e tyre. Raportuesja speciale e OKB-së, Françeska Albanese, gjatë vizitës së saj në Beograd në muajin mars, kritikoi Serbinë për bashkëpunimin “pa turp” me Izraelin, duke e akuzuar për furnizim me pajisje ushtarake.
Udhëheqësit izraelitë dhe serbë me siguri do ta kundërshtonin qëndrimin e Albaneses se këto veprime janë të turpshme. Megjithatë, raportuesja e OKB-së nuk ka sajuar gjë. Serbia luajti një rol të rëndësishëm gjatë muajve të parë dhe më të vështirë të luftës Izrael–Hamas.
Izraeli dhe Serbia zgjerojnë lidhjet ushtarake dhe të inteligjencës
Sipas raportimeve të portalit “Balkan Insight” dhe gazetës “Haaretz”, zyrtarët izraelitë kontaktuan homologët e tyre serbë që më 8 tetor, në një kohë kur sulmi i Hamasit sapo ishte frenuar dhe përgatitjet për kundërpërgjigjen ushtarake ishin ende në fazat e para. Kërkesa ishte e thjeshtë: municione. Përgjigjja e Serbisë erdhi pa vonesë. Urdhri i eksportit u miratua brenda katër ditësh dhe municionet e kërkuara u nisën drejt bazës ajrore Nevatim, pranë Beershebës.
Me nisjen e ofensivës tokësore izraelite në Gaza, dërgesat nga Serbia vazhduan. Deri në mesin e vitit 2024, Beogradi kishte eksportuar në Izrael municione me vlerë totale prej 16.3 milionë eurosh. Në vitin 2023, para muajit tetor, vlera e përgjithshme e armëve të eksportuara nga Serbia drejt Izraelit ishte vetëm 540 mijë euro.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në një deklaratë publike në shkurt 2024 pas një bisede telefonike me Vuçiçin, shprehu mirënjohje për “mbështetjen e palëkundur, si me fjalë ashtu edhe me vepra” të Serbisë dhe e cilësoi presidentin serb si një “mik të vërtetë të Izraelit”.
Gjatë dy viteve pasuese, vlera e eksporteve serbe të armëve vazhdoi të rritej me ritme të shpejta. Në vitin 2025 ato u rritën me 140 për qind, duke arritur në 114 milionë euro. Po atë vit, 38 fluturime transporti nga Serbia, me ngarkesa municionesh, mbërritën në Izrael.
Izraeli, natyrisht, vazhdon të mbështetet kryesisht te Shtetet e Bashkuara për furnizimet ushtarake. Megjithatë, marrëdhënia me Serbinë përbën një shembull të hershëm të përpjekjes së Izraelit për të diversifikuar burimet e furnizimit dhe për të zhvilluar marrëdhënie me vende partnere në rajon, në vend që të varet vetëm nga një fuqi e madhe aleate, politika e brendshme e së cilës po kalon ndryshime të shpejta.
Çfarë përfiton Serbia nga marrëdhënia e mbrojtjes? Gjatë tre viteve të fundit, Beogradi ka mundur ta çojë përpara modernizimin e ushtrisë së tij falë bashkëpunimit me Izraelin. Ashtu si Izraeli, edhe Serbia synon të diversifikojë burimet e saj të pajisjeve të mbrojtjes.
Marrëdhëniet me Izraelin i mundësojnë Serbisë një afrim të kujdesshëm me Perëndimin. Tradicionalisht, Rusia ka qenë furnizuesi kryesor i armëve për Serbinë. Në vitet e fundit, Kina ka fituar një rol të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes ajrore dhe dronëve. Zgjerimi i marrëdhënieve me Izraelin, si dhe deri diku me Francën, i lejon Beogradit të krijojë një ekuilibër në këtë orientim.
Në qendër të lidhjeve ushtarake Izrael–Serbi qëndron një marrëveshje prej 1.6 miliardë dollarësh me kompaninë Elbit Systems. Marrëveshja pesëvjeçare përfshin një plan të përbashkët mes Elbit dhe kompanisë shtetërore serbe SDPR për prodhimin në Serbi të dronëve të zbulimit dhe luftimit me rreze të gjatë dhe të shkurtër veprimi.
Marrëveshja përfshin gjithashtu zhvillimin e sistemeve ajrore pa pilot me aftësi luftarake të mbështetura nga inteligjenca artificiale, municioneve që qëndrojnë në ajër përpara goditjes së objektivit (“loitering munitions”), raketave artilerike me precizion me rreze të gjatë dhe infrastrukturës për luftë elektronike.
Në një marrëveshje të mëhershme, Serbia bleu nga Elbit Systems sistemet raketore shumëfishe PULS dhe dronët e zbulimit dhe luftimit Hermes 900.
Në vitin 2026, Beogradi dhe Jeruzalemi nënshkruan një marrëveshje për lehtësimin e shkëmbimit të të dhënave të inteligjencës dhe mbrojtjes, duke thelluar më tej bashkëpunimin në sektorin e sigurisë.
Interesat e përbashkëta të sigurisë dhe dëshira për të diversifikuar burimet e furnizimit janë baza e aleancës në rritje mes Izraelit dhe Serbisë. Nga këndvështrimi gjeostrategjik, Serbia përbën një pikë hyrëse drejt Europës nga Lindja e Mesme dhe, për këtë arsye, është një zonë me interes dhe konkurrencë mes aktorëve rajonalë.
Izraeli po forcon aktualisht një partneritet me Indinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Greqinë, ku në qendër qëndron IMEC – Korridori Ekonomik Indi–Lindje e Mesme–Europë. Serbia mund të luajë potencialisht një rol të rëndësishëm si rrugë tokësore transporti dhe shpërndarjeje nga qendrat detare të Europës Jugore drejt pjesëve të tjera të kontinentit.
Ky afrim në rritje nuk ka kaluar pa u vënë re nga rivalët rajonalë. Turqia, e cila ka ambiciet e saj në Ballkan dhe në rrugët tregtare drejt Europës, po i ndjek me kujdes këto zhvillime. Ankaraja po rrit marrëdhëniet e saj të mbrojtjes me Kroacinë, Shqipërinë dhe Kosovën, një çështje që shihet me shqetësim në Serbi.
Një faktor tjetër për t’u marrë parasysh është mundësia që Ballkani të shndërrohet në një zonë konkurrence mes aleancave rivale të tregtisë dhe lidhjeve ekonomike të përqendruara në Lindjen e Mesme. Veçanërisht domethënës është fakti se këto rivalitete strategjike nuk lidhen qartë me blloqe të mëdha globale të fuqive.
Si Izraeli, ashtu edhe Turqia janë aleatë të SHBA-së. Kroacia është vend anëtar i Bashkimit Europian, ndërsa Serbia është kandidate për anëtarësim. Kjo pasqyron realitetin e ri global, ku, ndryshe nga periudha e Luftës së Ftohtë, fuqitë e mesme po kërkojnë të diversifikojnë marrëdhëniet e tyre dhe të ndërtojnë lidhje horizontale.
Ato po e bëjnë këtë duke marrë parasysh se fuqitë e mëdha, SHBA-ja dhe Kina, shpesh i shohin marrëdhëniet me shtetet e tjera në mënyrë pragmatike dhe të bazuar në interesa, çka i shtyn edhe shtetet e tjera të ndjekin të njëjtën qasje.
Lidhja historike mes Beogradit dhe Jerusalemit
Ekzistojnë gjithashtu lidhje më të thella historike mes Izraelit dhe Serbisë. Këto kanë dy elemente interesante. I pari lidhet me mesin e shekullit XX dhe periudhën e Luftës së Dytë Botërore.
Përvoja e përbashkët e hebrenjve dhe serbëve, të cilët u vunë në shënjestër nga regjimi kroat progjerman i ustashëve, si dhe mbrojtja që gjetën te lëvizja e madhe antifashiste partizane gjatë luftës në Jugosllavi, e dominuar kryesisht nga serbët, përbën një aspekt të rëndësishëm të kësaj historie.
Më pak i njohur është roli që kryengritjet kombëtare serbe kundër Perandorisë Osmane mund të kenë luajtur gjatë zhvillimit të sionizmit modern. Gjyshërit e Theodor Herzlit jetonin në Zemun, një zonë periferike e Beogradit. Gjyshi i Herzlit, Shimon Loeb Herzl, ishte bashkëpunëtor i afërt i rabinit Yehuda Alkalai, një prej teoricienëve dhe mbështetësve të hershëm të nacionalizmit modern hebre.
Alkalai, rabini i Zemunit, u frymëzua nga shembulli i kryengritjeve të suksesshme kombëtare serbe kundër sundimit osman gjatë viteve 1804–1817. Theodor Herzl njihej si i afërt me gjyshin e tij, i cili e vizitonte rregullisht familjen në Budapest. Ekspozimi i parë i Herzlit ndaj idesë së ringjalljes kombëtare hebreje ka të ngjarë të ketë ardhur gjatë fëmijërisë së tij, përmes gjyshit të tij, i cili ishte ndjekës i Alkalait.
Sigurisht, ka një distancë të madhe nga këto ëndrra të hershme dhe të paqarta deri te marrëveshjet e sotme për dronë dhe dërgesat e municioneve. Dhe ndoshta shtetet nuk kanë miq afatgjatë, por vetëm interesa afatgjata.
Megjithatë, interesat e përbashkëta aktuale mes Izraelit dhe Serbisë, së bashku me lidhjet e tyre historike, po krijojnë një partneritet në zhvillim që meriton më shumë vëmendje.






















