Shërbimi Federal Antimonopol i Rusisë ka hapur një procedurë ndaj kompanisë amerikane Apple, duke e akuzuar se nuk ka zbatuar plotësisht kërkesat për instalimin paraprak të disa platformave vendase në pajisjet që përdorin sistemin operativ iOS.
Në një deklaratë të publikuar në Telegram, autoriteti rus bëri të ditur se Apple nuk ka hequr plotësisht kushtet që, sipas tij, krijojnë diskriminim ndaj motorëve rusë të kërkimit dhe produkteve softuerike vendase.
“Në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe praktikën e mëparshme të zbatimit të ligjit në lidhje me Apple, e cila është konfirmuar nga gjykatat, FAS ka hapur një çështje ndaj kompanisë”, thuhet në deklaratën e agjencisë.
Autoriteti antimonopol paralajmëroi se Apple mund të përballet me një gjobë në bazë të Kodit të Kundërvajtjeve Administrative të Rusisë, nëse konstatohet shkelje e ligjit.
Sipas FAS, kompania amerikane kishte njoftuar se nga data 27 korrik, versioni i përditësuar i softuerit të saj do të përfshinte mundësinë për instalimin paraprak të një motori kërkimi rus.
Ky zhvillim vjen në kuadër të përpjekjeve të autoriteteve ruse për të rritur përdorimin e shërbimeve dhe platformave vendase në pajisjet teknologjike që shiten në tregun rus.






















