Transferimi i talentit Leipzig, Yan Diomande, te Real Madridi është përballur me një pengesë të papritur, e cila nuk lidhet me vlerën financiare të marrëveshjes, por me një betejë ligjore mes agjencive që pretendojnë të drejtat e përfaqësimit të futbollistit.
Sipas gazetës spanjolle MARCA, padia e ngritur nga agjencia Maxidel Management, ish-përfaqësuesja e Diomandes, ndaj agjencisë aktuale Roc Nation, ka mbërritur në FIFA dhe rrezikon të vonojë finalizimin e transferimit të lojtarit te klubi madrilen.
Real Madridi kishte zhvilluar negociatat me Roc Nation, kompaninë e reperit Jay-Z që përfaqëson edhe yjet madrilenë Vinicius Junior dhe Endrick, pa qenë në dijeni të konfliktit ligjor me Maxidel. Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim te drejtuesit e klubit spanjoll, të cilët kërkojnë që çdo aspekt juridik të jetë i qartë përpara mbylljes së marrëveshjes.
Problemi bëhet edhe më i ndërlikuar pasi Leipzig vazhdon të kërkojë mbi 100 milionë euro për kartonin e lojtarit, ndërsa Maxidel pretendon se ka ende të drejta mbi Diomanden deri në momentin e largimit të tij nga klubi gjerman.
Për këtë arsye, Real Madridi mund të detyrohet të negociojë edhe me Maxidel, të presë një marrëveshje mes agjencive ose të presë vendimin e FIFA-s për të parë nëse procesi i regjistrimit të lojtarit mund të vijojë pa pengesa.
Konflikti nuk përfshin vetëm Maxidel dhe Roc Nation. Në çështje janë përfshirë edhe ish-agjenti i futbollistit, Dez Bamba, si dhe kompania Rainbow, të cilët kanë nisur procese ligjore për të drejtat e përfaqësimit dhe imazhit të lojtarit nga Bregu i Fildishtë.
Yan Diomande u bë i njohur në vitin 2022 gjatë një turneu U-17 në Ganë, ku shënoi pesë gola dhe tërhoqi vëmendjen e shumë klubeve evropiane. Më pas ai vazhdoi zhvillimin në akademi në Dubai dhe Shtetet e Bashkuara, ku interes për të shfaqën klube si Bournemouth, Rangers, Crystal Palace dhe Chelsea.
Në vitin 2024 ai firmosi me Leganes dhe brenda pak muajsh kaloi nga ekipet e të rinjve te skuadra e parë, duke debutuar në La Liga ndaj Real Madridit më 29 mars 2025. Paraqitjet e tij bënë që ai të ndiqej nga 41 klube evropiane, përpara se Leipzig të aktivizonte klauzolën dhe ta transferonte në Gjermani.
Në sezonin e parë në Bundesligë, Diomande u shpall lojtari më i mirë i ri i kampionatit dhe rriti ndjeshëm vlerën e tij në treg.
Megjithatë, paralelisht nisën edhe mosmarrëveshjet mes agjencive. Maxidel pretendoi se kishte rinovuar marrëveshjen me lojtarin, ndërsa Dez Bamba e kundërshtoi këtë pretendim. Më pas Diomande zgjodhi Roc Nation si përfaqësuesen e tij, duke e komplikuar edhe më shumë situatën.
Real Madridi po monitoron me kujdes zhvillimet, pasi klubi madrilen kërkon që çështjet e të drejtave të imazhit dhe përfaqësimit të jenë të zgjidhura përpara firmës përfundimtare.
Ndërkohë, Diomande vijon të jetë jashtë përgatitjeve parasezonale të Leipzig, ndërsa pret që marrëveshja me Real Madridin të marrë dritën jeshile.






















