Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, ka ashpërsuar sërish tonet ndaj presidentit të FIFA-s, Xhani Infantino, duke e cilësuar atë të papërshtatshëm për të udhëhequr futbollin botëror.
Në një intervistë për La Repubblica, Tebas u shpreh se prej vitesh ka paralajmëruar për mënyrën se si Infantino po drejton FIFA-n.
“E kam thënë këtë për vite me radhë. Xhani Infantino nuk ka qenë kurrë i denjë për të udhëhequr futbollin botëror. Unë shoh një person arrogant, thellësisht injorant për pasojat që vendimet e marra sot do të kenë në futbollin e nesërm”, deklaroi Tebas.
Deklaratat e kreut të La Ligës vijnë në një periudhë tensionesh të forta mes drejtuesve të futbollit europian dhe FIFA-s, ndërsa Tebas ka qenë një nga kritikët më të zëshëm të Infantinos për mënyrën e qeverisjes së institucionit dhe vendimet që, sipas tij, po dëmtojnë të ardhmen e futbollit.






















