FIFA ka deklaruar se “askush nuk po e shet futbollin”, ndërsa ka konfirmuar se do të vijojë procesin e konsultimit për planin e diskutueshëm që parashikon krijimin e një strukture të re tregtare me pjesëmarrjen e investitorëve privatë.
Reagimi vjen pasi UEFA njoftoi se do të bojkotojë Kupat e Botës nëse projekti miratohet. Edhe CONCACAF, konfederata që drejton futbollin në Amerikën e Veriut, Qendrore dhe Karaibe, bëri të ditur se 41 federatat anëtare kanë refuzuar propozimin e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
Në një deklaratë zyrtare, FIFA tha se procesi i konsultimit është “deformuar nga raportime të pasakta mediatike”, duke theksuar se vendimmarrja do të bazohet në një proces të hapur dhe demokratik.
“Askush nuk po e shet futbollin. Kjo nuk është diçka që FIFA do ta pranonte ndonjëherë”, thuhet në deklaratë.
Plani i FIFA-s parashikon krijimin e një filiali të ri tregtar, të quajtur FIFA Forward Enterprise (FFE), i cili do të menaxhojë aktivitetet kryesore tregtare të organizatës, përfshirë Kupën e Botës. Sipas projektit, investitorët privatë do të mund të blejnë vetëm pjesëmarrje minoritare, pa të drejtë kontrolli mbi strukturën.
FIFA argumenton se kjo nismë synon t’u japë federatave kombëtare mundësinë të përfitojnë më shumë nga të ardhurat komerciale të futbollit, pa cenuar qeverisjen apo vlerat e sportit.
Megjithatë, UEFA e ka kundërshtuar ashpër planin, duke deklaruar se “Kupa e Botës nuk është në shitje” dhe se nuk duhet të trajtohet si një produkt investimi. Sipas saj, futbolli nuk duhet të përdoret për të pasuruar investitorë privatë.
Infantino u ka ofruar federatave anëtare deri në 40 milionë dollarë nëse mbështesin projektin, ndërsa afati për pranimin e planit është caktuar më 19 shtator.
Edhe Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) ka shprehur shqetësim për mungesën e konsultimit paraprak dhe të analizave të detajuara financiare e ligjore. Ndërkohë, konfederatat e Afrikës (CAF) dhe Oqeanisë (OFC) pritet ta shqyrtojnë propozimin gjatë muajit gusht.
Nëse plani miratohet, grupi i investitorëve pritet të udhëhiqet nga kompania amerikane e kapitalit sipërmarrës Thrive Eternal.






















