Të 55 federatat anëtare të UEFA-s kanë votuar në favor të bojkotimit të Kupës së Botës nëse FIFA vazhdon me planin për privatizimin e pjesshëm të kompeticionit më të madh të futbollit.
Sipas raportimeve, vendimi u mor gjatë një mbledhjeje virtuale të zhvilluar të enjten, ku federatat evropiane diskutuan projektin e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për krijimin e një kompanie të re që do të menaxhonte të drejtat komerciale të Kupës së Botës dhe do t'u lejonte investitorëve privatë të blinin aksione.
Burime pranë diskutimeve bëjnë të ditur se qëndrimi i UEFA-s është unanim: Bojkoti do të mbetet një opsion konkret për aq kohë sa plani i FIFA-s për privatizimin e Botërorit nuk tërhiqet.
Nëse vendimi do të zbatohej, Kupa e Botës do të zhvillohej pa asnjë nga 55 kombëtaret evropiane, një skenar që do të përbënte goditjen më të madhe sportive dhe financiare në historinë e kompeticionit.
Përplasja mes UEFA-s dhe FIFA-s vjen pasi presidenti Gianni Infantino propozoi krijimin e një kompanie të re, ku investitorët privatë do të mund të blinin një pjesë të aksioneve të kompeticioneve kryesore të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës.






















