Real Madridi ka regjistruar një tjetër rekord historik, duke u bërë klubi i parë sportiv në botë që kalon kufirin e 1.2 miliardë eurove të ardhura brenda një viti financiar.
Klubi madrilen bëri të ditur se për vitin financiar 2025/26 ka realizuar 1.221 miliardë euro të ardhura, pa përfshirë fitimet nga shitja e futbollistëve. Shifrat u miratuan gjatë mbledhjes së fundit të bordit drejtues.
Krahasuar me sezonin e kaluar, të ardhurat janë rritur me 3.1%, ndërsa klubi thekson se rritja është nxitur kryesisht nga performanca e stadiumit "Santiago Bernabeu" dhe aktivitetet komerciale.
Sipas bilancit financiar, të ardhurat nga stadiumi janë rritur me 11%, ndërsa ato nga marketingu dhe sponsorizimet janë rritur me 6%, falë marrëveshjeve të reja me partnerët komercialë.
Real Madridi ka mbyllur sezonin edhe me një fitim neto prej 26.3 milionë eurosh, duke zgjatur në 26 vite radhazi serinë e bilanceve pozitive.
Klubi disponon një pasuri neto prej 624 milionë eurosh, ndërsa rezervat financiare kanë arritur në 83 milionë euro.
Ndërkohë, investimi total për transformimin e stadiumit "Santiago Bernabeu" ka shkuar në 1.407 miliardë euro, ndërsa drejtuesit e klubit theksojnë se situata e fortë financiare i jep Real Madridit fleksibilitet për lëvizjet e ardhshme në tregun e transferimeve.






















