Një fushatë kreative e platformës për shëndetin e grave Hiya Healthcare, me seli në Dubai, është bërë virale në rrjetet sociale, duke përdorur popullaritetin e sulmuesit norvegjez Erling Haaland për t'u shpjeguar burrave ciklin menstrual.
Në një postim në Instagram, kompania publikoi një udhëzues humoristik me titull “Cikli Menstrual i Prezantuar nga Haaland”, ku fazat e ndryshme të ciklit shpjegohen përmes fotografive të ndryshme të yllit të futbollit.
Postimi përshkruan fazën folikulare, ovulacionin dhe fazën luteale, ndërsa secila prej tyre ilustrohet me një mimikë apo reagim të ndryshëm të Haalandit.
Në përshkrimin e publikimit, Hiya Healthcare shkroi:
“Nëse gratë duhet ta kuptojnë futbollin, i cili zhvillohet çdo katër vjet, burrat duhet ta kuptojnë ciklin menstrual, i cili ndodh çdo muaj.”
Në fund të postimit, platforma shtoi me humor pyetjen: “Tani është e qartë, apo jo?”
Fushata tërhoqi menjëherë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, duke grumbulluar mijëra reagime dhe komente pozitive. Edhe pse Erling Haaland nuk ka qenë pjesë e reklamës dhe nuk ka reaguar publikisht, përdoruesit vlerësuan idenë e ekipit të marketingut, duke e cilësuar atë njëkohësisht informuese dhe argëtuese.
Hiya Healthcare është një platformë e specializuar në shëndetin e grave, me fokus te ekuilibri hormonal, monitorimi i ciklit menstrual, fertiliteti dhe këshillimi gjinekologjik.






















