FIFA ka reaguar zyrtarisht ndaj kritikave të forta për planin e saj për të lejuar investitorët privatë të blejnë aksione në kompeticionet më të rëndësishme të futbollit botëror, duke theksuar se procesi i konsultimeve do të vazhdojë dhe se "askush nuk po shet futbollin".
Reagimi vjen pasi UEFA, CONCACAF dhe Konfederata Aziatike e Futbollit kundërshtuan hapur projektin, ndërsa të 55 federatat anëtare të UEFA-s kanë paralajmëruar bojkotimin e Kupës së Botës nëse FIFA vazhdon me këtë nismë.
Plani i presidentit Gianni Infantino parashikon krijimin e një kompanie të re, FIFA Forward Enterprise (FFE), e cila do të menaxhojë komercialisht kompeticionet kryesore të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës. Sipas projektit, investitorët privatë do të mund të blejnë aksione minoritare, por pa të drejtë menaxhimi.
Për miratimin e këtij projekti nevojitet mbështetja e të paktën 106 prej 211 federatave anëtare të FIFA-s. Megjithatë, kundërshtimi i hapur nga UEFA, CONCACAF dhe AFC e vë seriozisht në dyshim kalimin e propozimit.
Në deklaratën e saj, FIFA tha se raportimet mediatike kanë krijuar keqkuptime rreth projektit.
"Askush nuk po shet futbollin. Raportet e pasakta të mediave kanë dëmtuar procesin e planifikuar të konsultimit. Ne do të vazhdojmë konsultimet për të siguruar që çdo federatë kombëtare të votojë në bazë të fakteve të verifikuara", thuhet në reagimin e institucionit.
FIFA shtoi se respekton shqetësimet e federatave dhe është e angazhuar për një proces transparent dhe demokratik.
Sipas organizmit më të lartë të futbollit botëror, krijimi i FIFA Forward Enterprise synon t'u japë federatave kombëtare mundësi të reja financiare për të shfrytëzuar potencialin komercial të futbollit, pa ndryshuar mënyrën se si qeveriset FIFA apo garat e saj.






















