E ardhmja e Gianni Infantinos në krye të FIFA-s është vënë në pikëpyetje pas polemikave të fundit që shoqëruan planin për privatizimin e pjesshëm të kompeticioneve të organizmit më të lartë të futbollit botëror.
Presidenti i FIFA-s u përball me kundërshtime të forta pasi propozoi shitjen e aksioneve të pakicës në një entitet të ri komercial që do të menaxhonte Kupën e Botës dhe kompeticionet e tjera të FIFA-s. Projekti u kundërshtua nga UEFA, CONCACAF dhe konfederata të tjera, duke detyruar FIFA-n ta tërhiqte planin.
Megjithëse nuk ka ende kandidatë zyrtarë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në qarqet e futbollit kanë nisur të qarkullojnë disa emra që mund të pasojnë Infantinon.
5. Arsene Wenger, Drejtori për Zhvillimin Global të Futbollit në FIFA gëzon respekt të madh falë karrierës së tij si trajner, por drejtimi i organizatës kërkon edhe mbështetje të fortë politike dhe diplomatike.
4. Nasser Al-Khelaifi, Presidenti i Paris Saint-Germain dhe drejtuesi i Shoqatës Evropiane të Klubeve është një nga figurat më me ndikim në futbollin evropian. Megjithatë, lidhjet e tij me një klub elitar mund të ngrenë diskutime për konflikt interesi.
3. Salman bin Ibrahim Al Khalifa, Presidenti i Konfederatës Aziatike të Futbollit ka përvojë të gjatë në politikën sportive dhe ishte kandidat edhe në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s në vitin 2016.
2. Victor Montagliani, Presidenti i CONCACAF konsiderohet një kandidat i fortë falë përvojës së tij në drejtimin e një konfederate dhe marrëdhënieve të mira me federatat anëtare të FIFA-s.
1.Aleksander Ceferin, Presidenti i UEFA-s shihet si favoriti kryesor për të marrë drejtimin e FIFA-s. Përvoja në krye të futbollit evropian, autoriteti ndërkombëtar dhe përplasjet e mëparshme me Infantinon e bëjnë atë emrin më të përfolur si pasues të mundshëm të presidentit aktual.
Me tërheqjen e projektit për privatizimin e pjesshëm të kompeticioneve, presioni mbi Infantinon është rritur ndjeshëm dhe mbetet për t'u parë nëse ai do të arrijë të ruajë mbështetjen brenda FIFA-s.






















