Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur konsultimet me liderët e partive parlamentare në përpjekje për të zhbllokuar procesin e krijimit të institucioneve të reja. Deri tani, vetëm kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka pranuar ftesën për takim, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë refuzuar.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, konfirmoi se takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut do të zhvillohet nesër në orën 18:00, në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Takimi pritet të fokusohet te mundësitë për zhbllokimin e situatës politike dhe formimin e institucioneve të reja.
Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i është përgjigjur me letër ftesës së Kurtit, duke e falënderuar për iniciativën, por duke ritheksuar se partia e tij do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.
“Ju falënderoj për ftesën për takim. Duke iu referuar takimit tonë të datës 10 korrik 2026 dhe qëndrimit publik të PDK-së, ju rikonfirmoj se, në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”, shkruan Hamza në letrën drejtuar Kurtit.
Kreu i PDK-së shton se pret që Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, së bashku me partitë e tjera parlamentare, të arrijë një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Edhe kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka refuzuar ftesën e Kurtit, duke deklaruar se nuk sheh “fare arsye” për një takim në formatin e propozuar.
Në përgjigjen e tij, Gjini thekson se Aleanca nuk ka asnjë interes të bëhet pjesë e qeverisë së re, por është e gatshme të ndihmojë në krijimin e institucioneve vetëm nëse Lëvizja Vetëvendosje pranon gjashtë kërkesat e AAK-së.
Këto përfshijnë pranimin e projektit të gazit amerikan si prioritet strategjik, ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill, rritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro për bizneset e vogla, heqjen e tatimit mbi tokën e punuar bujqësore, financimin e projekteve infrastrukturore të mbetura pezull dhe krijimin e një fondi prej 800 milionë deri në 1 miliard euro për investime kapitale në Prishtinë.
“Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”, përfundon Gjini në letrën e tij.
Përgjigjet e tre partive tregojnë se, të paktën për momentin, Albin Kurti do të zhvillojë konsultime vetëm me LDK-në, ndërsa PDK dhe AAK mbeten jashtë procesit të bisedimeve, duke e bërë edhe më të vështirë arritjen e një konsensusi për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.






















