
Ministria e Drejtësisë i ka dërguar autoriteteve franceze kërkesën zyrtare për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiri, i arrestuar më 24 korrik në Plény të Francës, ndërsa ishte duke fluturuar me avion në afërsi të një centrali bërthamor.
Lajmi është konfirmuar nga vetë Ministria e Drejtësisë, e cila bën të ditur se kërkesa është përcjellë në përputhje me legjislacionin shqiptar, marrëveshjet ndërkombëtare dhe procedurat e bashkëpunimit juridik me Francën. Dosja është shoqëruar me dokumentacionin e përgatitur nga organi procedues.
Sipas njoftimit, procedura e ekstradimit do të vijojë sipas legjislacionit francez dhe instrumenteve ndërkombëtare në fuqi, ndërsa autoritetet e të dy vendeve do të bashkëpunojnë deri në përfundimin e procesit.
Beqiri është nën hetim nga SPAK në dosjen që lidhet me abuzimet e dyshuara me tenderët e AKSHI-t. Sipas hetimeve, ai akuzohet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal, korrupsion dhe vepra të tjera penale.
Hetuesit kanë zbuluar se biznesmeni zotëron pasuri me vlerë të konsiderueshme në Francë, mes tyre një kështjellë me vlerë rreth 2.6 milionë euro, apartamente, automjete dhe asete të tjera. Gjithashtu, sipas SPAK-ut, në emër të tij është identifikuar edhe një llogari bankare me rreth 2 milionë euro.
Prokuroria e Posaçme u ka kërkuar autoriteteve franceze sekuestrimin e këtyre pasurive, si edhe verifikimin e aktivitetit të mundshëm kriminal të Beqirit gjatë periudhës që ai qëndroi në arrati.
SPAK kishte lokalizuar vendndodhjen e tij që më 19 qershor, duke kërkuar bashkëpunimin e autoriteteve franceze për arrestimin. Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2025, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg", ndërsa Interpol kishte shpallur kërkimin ndërkombëtar. Në të njëjtën dosje është në kërkim edhe Ergys Agasi, i konsideruar nga hetuesit si drejtues i grupit kriminal.
Ministria e Drejtësisë sqaron se pas dorëzimit të kërkesës, procesi do të vijojë sipas procedurave të parashikuara nga Konventa Evropiane për Ekstradimin dhe legjislacioni i të dy vendeve, deri në marrjen e një vendimi nga autoritetet franceze për ekstradimin e biznesmenit.






















