Bota 4 August 2026, 20:44 Nga VNA

Tre luanesha ngordhin nga i nxehti në një kopsht zoologjik në Japoni, ekspertët: Nuk ishin mësuar me vapën ekstreme dhe lagështinë

Ndaje në Whatsapp
Tre luanesha ngordhin nga i nxehti në një kopsht zoologjik në

Tre luanesha kanë ngordhur në Kopshtin Zoologjik Tama, në periferi të Tokios, pasi dyshohet se u goditën nga vala ekstreme e të nxehtit që përfshiu Japoninë gjatë javëve të fundit. Autoritetet japoneze thanë se është hera e parë në 62 vitet e historisë së këtij kopshti zoologjik që humbin jetën luanë për shkaqe të lidhura me temperaturat e larta. 

Luaneshat, të moshës 3, 11 dhe 15 vjeç, ngordhën mes datave 28 korrik dhe 2 gusht. Autopsitë zbuluan se të treja kishin pësuar dehidrim të rëndë dhe insuficiencë të shumëfishtë të organeve, ndërsa shkaku përfundimtar i vdekjes pritet të konfirmohet pas analizave laboratorike. 

Sipas drejtuesve të kopshtit zoologjik, në mesin e korrikut temperaturat në Tokio arritën pothuajse 39 gradë Celsius. Shumica e 16 luanëve të parkut humbën oreksin dhe u bënë apatikë, ndërsa disa prej tyre nuk arrinin më të ngriheshin në këmbë ose humbën ndjenjat. Një pjesë u rikuperuan pas trajtimit, por tre luaneshat nuk arritën të mbijetonin. 

Ekspertët shpjegojnë se, megjithëse luanët jetojnë në Afrikë, ata janë të përshtatur me klimën e thatë, ndërsa kombinimi i temperaturave shumë të larta me lagështinë e madhe në Tokio e bën shumë më të vështirë rregullimin e temperaturës së trupit. 

Pas ngjarjes, kopshti zoologjik ka pezulluar ekspozimin e luanëve për vizitorët dhe ka shtuar masat mbrojtëse, përfshirë spërkatjen me ujë, ventilimin shtesë dhe trajtimin me serum për kafshët që vijojnë të shfaqin shenja dobësie.

Video

Neymar shpërthen pas ndeshjes, tension i madh në tunelin e stadiumit! Edhe pse Santos siguroi kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Brazilit me fitoren 1-0 ndaj Remos, vëmendjen e mori incidenti pas ndeshjes. I provokuar vazhdimisht nga tifozët vendas, Neymar reagoi duke iu përgjigjur me gjeste dhe fjalë, ndërsa situata u tensionua edhe më shumë në tunelin e stadiumit, ku pati përplasje verbale me tifozë dhe zyrtarë të klubit. Vetëm ndërhyrja e forcave të sigurisë shmangu një konflikt fizik.

Katër burra mbetën të plagosur pas një sulmi me thikë në zonën e Covent Garden, në qendër të Londrës, ndërsa policia britanike arrestoi një grua 47-vjeçare si të dyshuar për ngjarjen. Sipas Policisë Metropolitane, shërbimet e emergjencës ndërhynë menjëherë në vendngjarje, ndërsa pjesë e operacionit ishte edhe Ambulanca Ajrore e Londrës, e cila u ul në sheshin Trafalgar për t’i ardhur në ndihmë të plagosurve. Katër të lënduarit u transportuan në spital për trajtim mjekësor.

Kazakistani ka liruar në rezervatin natyror Ile-Balkhash tigreshën Amur, Umit, duke shënuar rikthimin e parë të tigrave në vend pas 78 vitesh. Kjo specie ishte zhdukur nga Kazakistani që në vitin 1948. Tigri Amur është shumë i afërt me tigrin e Kaspikut, një specie që dikur jetonte në Azinë Qendrore, por u zhduk plotësisht në vitet 1970. Umit është një nga katër tigrat që Rusia i ka dhuruar Kazakistanit në kuadër të një projekti për të rikthyer tigrat në habitatet ku kanë jetuar dikur. Qëllimi i programit është që kjo kafshë e rrallë të vendoset sërish në natyrë dhe të krijojë një popullatë të qëndrueshme në vend.

Ky është momenti kur një dron ndjek një shitës ambulant në rrugë, përpara se të shpërthejë pranë tij, duke e plagosur. Pamjet janë shpërndarë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili akuzoi Rusinë se po kryen sulme të qëllimshme ndaj civilëve. Ai u bëri thirrje vendeve të botës që ta shohin videon, duke e cilësuar atë si dëshmi të mënyrës se si, sipas tij, ushtarët rusë “kënaqen duke vrarë dhe terrorizuar civilët”. Zelensky e përshkroi incidentin si një tjetër rast të asaj që ai e quajti “safari me dronë”, duke pretenduar se forcat ruse përdorin dronë për të ndjekur dhe sulmuar banorët e Khersonit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme