Zjarret masive që përfshinë jugun e Francës kanë zbuluar një depo të fshehur me rreth 400 predha dhe municione të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore në fshatin Le Porge, raportojnë autoritetet franceze.
Gjatë përhapjes së flakëve, shpërthimet që fillimisht u menduan se vinin nga bombolat e gazit, rezultuan të ishin municione të vjetra që shpërthyen si pasojë e temperaturave të larta.
Kryebashkiaku i Le Porge, Martial Zaninetti, deklaroi se gjatë natës së dytë të zjarrit u dëgjuan mbi 100 shpërthime, duke e përshkruar situatën si “tingulli i luftës”.
“Brenda territorit të bashkisë sonë kishte depo municionesh, por ne nuk e dinim këtë dhe ato shpërthyen,” u shpreh ai për mediat franceze.
Sipas Zaninetti, predhat fluturonin në të gjitha drejtimet, ndërsa njëra prej tyre përshkoi edhe një banesë, duke rritur ndjeshëm rrezikun për banorët dhe ekipet e emergjencës.
Pasi zjarri u vu nën kontroll, shumica e banorëve janë lejuar të rikthehen në shtëpitë e tyre. Megjithatë, autoritetet kanë mbajtur të mbyllura disa zona, pasi ekziston ende rreziku nga municionet e pashpërthyera që ndodhen në terren.






















