Studiuesit e Universitetit të Tel Avivit kanë përdorur të dhënat e udhëtimeve dhe kanë vlerësuar se për çdo vit përgjatë periudhës 2023-2025 nga Izraeli janë larguar midis 45,000 dhe 50,000 izraelitë, në mes të luftës dhe tensioneve në rritje politike.
Nga Zev Stub
3 gusht 2026
Sipas një raporti të publikuar nga studiues të Universitetit të Tel Avivit, edhe në vitin 2025 u përjetua një valë rekord emigrimi nga Izraeli, me afro 50,000 izraelitë që lanë vendin për më shumë se 12 muaj, valë e cila vijon për të tretin vit radhazi.
Itai Ater, një nga autorët kryesorë të raportit, tha për “The Times of Israel” se ka shumë të ngjarë që largimi nga vendi për më shumë se një vit i 49,000 izraelitëve në vitin 2023 dhe në vitin 2024, të ketë vazhduar edhe në vitin 2025.
Raporti argumenton se konflikti i zgjatur ushtarak i Izraelit dhe tensionet politike kanë kontribuar në rritjen e emigrimit, gjë që mund të kërcënojë interesat strategjike afatgjata të vendit, ndërsa politikanët e opozitës e konsiderojnë se raporti është një shenjë e dështimeve të qeverisë aktuale. Raporti thekson se të dhënat zyrtare për vitin 2025 nuk do të jenë të disponueshme deri në fillim të vitit 2027.
Sipas metodologjisë së Byrosë Qendrore të Statistikave, e cila ka publikuar në muajin dhjetor vlerësimet për emigrimin në vitin 2025, njerëzit konsiderohen si emigrantë vetëm pasi ata kanë kaluar pjesën më të madhe të një viti jashtë vendit. Si rezultat, shumë nga personat e përfshirë në statistikat e vitit 2025, në fakt janë larguar nga Izraeli që në vitin 2024.
Zyrtarë qeveritarë kanë pretenduar se shifrat e emigrimit nuk pasqyrojnë realitetin e Izraelit, se pjesa më e madhe e personave që largohen janë persona të sapoardhur nga Ukraina, të cilët shfrytëzuan të drejtën e tyre të rikthimit për t’iu larguar zonës së luftës, dhe jo banorët izraelitë me kohëqëndrim të gjatë.
Megjithatë, përgjatë disa viteve të fundit, Izraeli është përballur me fenomenin e rrallë të deficitit në migrimin neto, pra kur më shumë njerëz largohen nga vendi sesa vijnë. Sipas Sergio Della Pergola, një nga ekspertët më të njohur të demografisë mbi izraelitët, me përjashtim të periudhave të caktuara në vitet ’50 dhe ’80, në Izrael ka pasur gjithmonë më shumë mbërritje të izraelitëve sesa largime.
Po ashtu, historikisht emigrimi është arsyetuar se ndodh për shkak të mundësive më të mira ekonomike jashtë vendit. Ndërsa ata që largohen tani nga Izraeli, sipas një studimi të profesorit të sociologjisë Lilach Lev Ari, theksojnë si shkaqe emigrimi pakënaqësinë ndaj qeverisë, veçanërisht ndryshimet politike që kërkon të bëjë ajo, të cilat sipas kritikëve do të minojnë demokracinë, si edhe situatën aktuale të sigurisë në Izrael.
Raporti sinjalizon se shifrat e emigrimit ende nuk paraqesin një rrezik të menjëhershëm sistematik për vendin, por e afrojnë atë me pikën kritike. Në raport thuhet se: “Goditje të tjera negative, politike, ekonomike apo të lidhura me sigurinë, mund të nxisin një efekt zinxhir që do të çonte në rritje të mëtejshme të emigrimit. Kur migrimi kapërcen një prag të caktuar, përmbysja e kësaj prirjeje do të jetë jashtëzakonisht e vështirë dhe do të sjellë pasoja të rënda makroekonomike.”
Studimi u krye nga Itai Ater, i Shkollës së Menaxhimit Coller dhe drejtues i Forumit të Ekonomistëve për Demokraci; Nittai Bergman, drejtues i Shkollës së Ekonomisë; dhe kandidati për doktoraturë Doron Zamir.






















