Shkencëtarët kinezë kanë prezantuar një plan të ri për mbrojtjen e Tokës nga asteroidët që mund të përbëjnë rrezik, duke propozuar përdorimin e sondave hapësinore dhe një shpërthimi bërthamor të kontrolluar për t’i shkatërruar ata përpara se të afrohen me planetin.
Sipas projektit, të hartuar nga studiues të China Rocket Research Institute në Pekin, misioni do të zhvillohej në dy faza. Fillimisht, një sondë do të godiste asteroidin për të krijuar një krater në sipërfaqen e tij. Më pas, një sondë e dytë do të vendoste në atë pikë një bombë bërthamore, e cila do të shpërthente asteroidin nga brenda.
Shkencëtarët vlerësojnë se shpërthimi do të kishte një fuqi prej rreth tre megatonësh, e barabartë me afro 200 bomba atomike të Hiroshimës. Sipas tyre, kjo metodë do të ishte më efektive për asteroidët me përmasa të mëdha ose për ata që zbulohen shumë vonë.
Plani vjen pas misionit DART të NASA-s në vitin 2022, i cili provoi se është e mundur të devijohet trajektorja e një asteroidi duke e goditur me një sondë. Megjithatë, studiuesit kinezë argumentojnë se kjo qasje nuk mjafton për objektet shumë të mëdha, ndaj një shpërthim bërthamor i kontrolluar mund të jetë alternativa më efikase.
Vitet e fundit, Kina ka shtuar investimet në mbrojtjen planetare. Në qershor prezantoi planet për një rrjet kombëtar të paralajmërimit të hershëm për asteroidët, ndërsa prej vitit 2018 është pjesë e rrjeteve ndërkombëtare për monitorimin dhe planifikimin e misioneve kundër kërcënimeve nga hapësira.






















