
U desh të kalonin denoncime publike, një përgënjeshtrim nga drejtori i Startup Albania dhe disa javë pritje që lista zyrtare e përfituesve të Grantit 2026 të bëhej më në fund publike.
Emrat në dokumentin përfundimtar kanë ndryshuar pjesërisht nga varianti paraprak që VNA publikoi dhe analizoi në fillim të gushtit. Disa prej rasteve problematike që u ngritën publikisht janë fshirë, ndërsa pas procesit të ankimeve janë shtuar përfitues të tjerë.
Megjithatë, kjo ndërhyrje nuk e ka zbehur skandalin. Përkundrazi, konfirmon përfundimisht dyshimin kryesor: fondet publike që duhet të mbështesnin idetë e reja të inovacionit vazhdojnë të përfundojnë te të njëjtët njerëz.
Një krahasim i thjeshtë mes listës zyrtare të Grantit 2026 dhe asaj të vitit 2025 nxjerr në pah një rezultat domethënës. Të paktën 15 persona figurojnë fitues në të dyja vitet radhazi.
Skema e përdorur ndryshon nga rasti në rast. Disa kanë fituar sërish me të njëjtin projekt, të tjerë kanë bërë ndryshime kozmetike në emërtim, ndërsa një pjesë kanë ndërruar tërësisht emrin e ideve të tyre, por kanë ruajtur të njëjtin NIPT.
Thënë ndryshe, inovacioni ndryshon në letër, por fituesit mbeten po të njëjtët.
15 fitues, dy vite
Pamja bëhet më e qartë kur dy listat vendosen krah për krah:
1. Aldi Lekaj
2025: ATA
2026: ECN Partners
2. Arben Oshafi
2025: B2Balkan.com
2026: B2balkan
3. Bora Selenica
2025: Pigi
2026: Pigi: Edukim Financiar për fëmijët
4. Emil Andoni
2025: e-Health Albania
2026: eDoktor
5. Endri Burrja
2025: MedWallet
2026: MedWallet
6. Erion Çuni
2025: Komuniteti
2026: Komuniteti
7. Fatjon Gjata
2025: Brisk Square
2026: Outerlynx
8. Genti Selenica
2025: Baboon atWork
2026: atWorkapp
9. Gregor Andoni
2025: GrAnD Industries
2026: GrAnD Creative Industries
10. Jona Shaba
2025: VLEPA
2026: VLEPA
11. Leonard Boduri
2025: Autokorrektori i Gjuhës Shqipe
2026: Autokorrektori i Gjuhës Shqipe
12. Meivis Struga
2025: EKOFUNGI Albania
2026: ESI Projects
13. Rio Sherri
2025: Axiom Breach
2026: Axiom Breach shpk
14. Rudina Hoxha
2025: Local E-Draughts
2026: Local E-Draughts
15. Sokol Qeraxhiu
2025: Tetra Pro
2026: Tetra PRO
Në të dyja listat shfaqen emrat e Aldi Lekajt, Arben Oshafit, Bora Selenicës, Emil Andonit, Endri Burrjas, Erion Çunit, Fatjon Gjatës, Genti Selenicës, Gregor Andonit, Jona Shabës, Leonard Bodurit, Meivis Strugës, Rio Sherrit, Rudina Hoxhës dhe Sokol Qeraxhiut.
Dokumentet provojnë se bëhet fjalë për të njëjtët individë, ku në shumë raste përputhet plotësisht edhe NIPT-i i subjektit tatimor.
Manovra e ndryshimit të emrit duke ruajtur NIPT-in është e dukshme te disa përfitues. Aldi Lekaj, i cili në vitin 2025 fitoi 6.5 milionë lekë me projektin “ATA”, në vitin 2026 shfaqet sërish fitues me 3.5 milionë lekë për projektin “ECN Partners”.
Emil Andoni mori 3.2 milionë lekë për “e-Health Albania” në vitin 2025 dhe rikthehet në vitin 2026 me “eDoktor”, duke marrë edhe 4.85 milionë lekë të tjera, ndonëse NIPT-i M42419022T mbetet i paprekur.
Të njëjtën skemë ndjek Gregor Andoni me “GrAnD Creative Industries”, me NIPT M31530010F, dhe Meivis Struga me “ESI Projects”.
Të tjerë aplikantë nuk kanë harxhuar as mundin më të vogël për të ndryshuar emërtimet. Endri Burrja rifiton me “MedWallet”, Erion Çuni me “Komuniteti”, Jona Shaba me “VLEPA”, Leonard Boduri me “Autokorrektorin e Gjuhës Shqipe”, Rudina Hoxha me “Local E-Draughts” dhe Sokol Qeraxhiu me “Tetra PRO”.
Po ashtu, Arben Oshafi merr sërish fond me “B2balkan”, Fatjon Gjata me “Outerlynx”, ish-“Brisk Square”, Genti Selenica me “atWorkapp”, ish-“Baboon atWork”, dhe Rio Sherri me “Axiom Breach shpk”.
Vetë përsëritja e emrave nuk provon automatikisht shkeljen e ligjit. Por kur një fond publik për inovacionin riciklon të njëjtët emra vit pas viti, pyetja është e pashmangshme: sa i hapur është realisht ky sistem për startup-et e reja dhe me çfarë kriteresh përzgjidhen të njëjtët njerëz?
Dyshimet thellohen te faktori financim. Skema e granteve i ndan bizneset në tri faza: F1 për idetë fillestare, deri në 1.5 milionë lekë; F2 për validimin, deri në 4.5 milionë lekë; dhe F3 për rritjen, deri në 9 milionë lekë.
Në Grantin 2026, disa nga përfituesit e përsëritur kanë kërcyer menjëherë në nivelet më të larta të financimit. Projekti “Pigi” i Bora Selenicës, “MedWallet” i Endri Burrjas dhe “Komuniteti” i Erion Çunit janë ngjitur nga faza F2 në F3.
Rasti më flagrant është ai i projektit “VLEPA” të Jona Shabës, i cili nga faza fillestare F1 në vitin 2025 ka kapërcyer drejtpërdrejt në fazën F3 në vitin 2026.
Në letër kjo rritje konsiderohet sukses, por dokumentet zyrtare nuk ofrojnë asnjë transparencë mbi rezultatet konkrete. Çfarë produkti real ndërtuan këto projekte me paratë e para? Çfarë objektivash përmbushën në treg? Dhe mbi çfarë meritash morën sërish miliona të tjera?
Rasti më abuziv në listën e re lidhet me Genti Selenicën.
Në vitin 2025 ai fitoi 7.2 milionë lekë, rreth 79 mijë euro, me “Baboon atWork”, ndërsa këtë vit merr edhe 6.25 milionë lekë, rreth 68 mijë euro, me “atWorkapp”.
Por historia nuk përfundon këtu. Bashkëshortja e tij, Xheni Maloku, është shpallur gjithashtu fituese me “Marigo Fashion Marketplace”, duke marrë 5.1 milionë lekë, rreth 55 mijë euro, pasi kishte përfituar edhe 38 mijë euro në vitin 2024.
Në total, çifti Selenica-Maloku rezulton të ketë marrë rreth 240 mijë euro nga fondet publike, me gjithë verifikimet e kryera më parë nga VNA se aplikacioni i tyre nuk ishte më aktiv në treg.
E çuditshmja e këtij viti qëndron te mënyra se si Genti Selenica hyri në listë. Ai nuk figuronte fare mes fituesve në listën paraprake. Emri i tij u shfaq vetëm pas procesit të ankimeve, nga ku doli me një financim prej 68 mijë eurosh.
Ndërsa denoncimet e VNA-së detyruan skualifikimin e disave, me Selenicën ndodhi e kundërta: nga një aplikant i skualifikuar, ai u kthye në fitues të miliona lekëve.
Çfarë ndryshoi gjatë ankimit? Sa pikë mori ai fillimisht, sa iu shtuan më pas dhe cili komision e mori këtë vendim jashtë syve të publikut?
Nëse procedurat do të ishin të pastra, publikimi i pikëve para dhe pas ankimit do të ishte detyrim minimal transparence.
Më 7 gusht, VNA paralajmëroi me detaje se si skema e Startup Albania po shndërrohej në një rreth të mbyllur përfituesish.
Sot, lista zyrtare provon se fotografia e përgjithshme mbetet e njëjtë.
Ministrja Delina Ibrahimaj dhe drejtuesi Arjan Ymeri duhet t’i japin llogari publikut se pse, mes qindra ideve të reja në Shqipëri, paratë e taksapaguesve gjejnë gjithmonë të njëjtën rrugë për t’u kthyer te të njëjtët fitues.






















