Qeveria amerikane po përgatitet të revokojë vizat e biznesit dhe turistike të një numri të madh të huajsh që kanë aplikuar për azil në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të politikës së ashpër të administratës së Presidentit Donald Trump ndaj emigracionit.
Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi se po bashkëpunon me Departamentin e Sigurisë Kombëtare për të identifikuar dhe revokuar vizat e personave që kanë hyrë në SHBA duke deklaruar se do të qëndronin për një periudhë të shkurtër, por që më pas kanë aplikuar për azil.
“Ne po punojmë me Departamentin e Sigurisë Kombëtare për të identifikuar dhe revokuar vizat joemigruese të të huajve që erdhën në Shtetet e Bashkuara duke pretenduar se ishin vizitorë afatshkurtër, por më pas aplikuan për azil në mënyrë që të qëndronin këtu përgjithmonë”, deklaroi për AFP zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.
“Marrja e një vize me qëllim kërkimin e azilit është mashtrim, i cili justifikon revokimin e vizës”, shtoi ai.
Mediat amerikane raportojnë se numri i vizave që mund të revokohen mund të arrijë deri në 200 mijë, çka do të përbënte një shifër rekord. Në fillim të gushtit, Departamenti i Shtetit njoftoi se, që nga rikthimi i Donald Trump në pushtet në janar të vitit 2025, rreth 175 mijë të huajve u janë revokuar vizat për arsye të ndryshme.
Arsyet përfshijnë aktivitetin kriminal dhe shkelje të ndryshme të ligjit, mes tyre drejtimin e automjetit nën ndikimin e alkoolit, si dhe raste të tjera që administrata amerikane i ka konsideruar të papërshtatshme.
Administrata amerikane ka revokuar së fundmi edhe vizat e disa zyrtarëve politikë meksikanë, përfshirë djalin e ish-presidentit Andrés Manuel López Obrador. Presidentja aktuale e Meksikës, Claudia Sheinbaum, e ka akuzuar Uashingtonin për “bashkëpunim”.






















