Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i ka këshilluar lideres së Partisë Konservatore britanike, Kemi Badenoch, që të mos bëjë marrëveshje politike me Nigel Farage dhe partinë e tij, Reform UK.
Sipas The Times, Meloni dhe Badenoch u takuan të hënën, më 24 gusht, në Romë, ku zhvilluan rreth një orë bisedë gjatë një takimi për kafe. Dy politikanet diskutuan për ekonominë, emigracionin dhe zhvillimet më të gjera politike në Europë.
Gjatë bisedës, Meloni i ka sugjeruar Badenoch të ruajë identitetin e saj politik dhe të mos dorëzohet përballë presionit për një marrëveshje me Reform UK. Mesazhi i kryeministres italiane, sipas raportimit, ishte që ajo të “jetë vetvetja” dhe “të qëndrojë në pozicionin e saj”.
Këshilla vjen në një moment kur konservatorët britanikë po përballen me konkurrencë të fortë nga Reform UK. Vetë Badenoch kishte deklaruar gjatë fundjavës se një qeveri e përbashkët mes konservatorëve dhe Reform UK do të ishte një kombinim “monstruoz”.
Edhe Nigel Farage ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni. Ai i tha The Times se nuk u beson konservatorëve dhe se një marrëveshje e tillë, sipas tij, nuk do të ishte as e nevojshme dhe as e dëshirueshme.
Meloni dhe Badenoch kanë një marrëdhënie politike prej disa vitesh. Ato u takuan për herë të parë në vitin 2023, kur Badenoch ishte ministre britanike e Biznesit, dhe kanë vazhduar të mbajnë kontakte.
Në takimin e Romës, Badenoch shprehu gjithashtu interes për modelin ekonomik të qeverisë Meloni. Dy politikanet diskutuan mënyrat për të parandaluar largimin e individëve me të ardhura të larta nga Britania dhe Italia, si dhe çështje që lidhen me politikat europiane.






















