Një gjykatë turke ka dënuar pesë kryebashkiakë të Partisë Republikane Popullore (CHP), forcës kryesore opozitare ndaj presidentit Recep Tayyip Erdoğan, në një proces që opozita e konsideron të motivuar politikisht.
Dënimin më të rëndë e mori Rıza Akpolat, kryebashkiaku i Beşiktaşit në Stamboll, i cili u dënua me 23 vjet e tre muaj burg. Kryebashkiakët e tjerë morën dënime që variojnë nga pesë deri në tetë vjet.
Akuzat lidhen me korrupsion, ryshfet, mashtrim dhe manipulim të tenderëve publikë. Procesi përfshinte rreth 200 të pandehur.
CHP pretendon se hetimet janë pjesë e një fushate më të gjerë kundër opozitës. Tensionet politike në Turqi janë rritur ndjeshëm edhe për shkak të çështjes së Ekrem İmamoğlu, një prej rivalëve kryesorë politikë të Erdoğan, i cili ndodhet në burg.






















